Zbulohet thika artizanale në burgun e Fierit, dyshohet se ishte për të vrarë Denis Bajrin! Si u fut arma në qeli dhe dëshmia që çon te Ibrahim Liçi

Një thikë artizanale është zbuluar në burgun e Fierit, ndërsa dyshohet se arma do të përdorej për të vrarë Denis Bajrin, i njohur edhe si Brajovic, gjatë sulmit të ndodhur brenda qelisë.
Bajri ka deklaruar para hetuesve se pas tentativës për vrasjen e tij qëndron Ibrahim Liçi. Sipas dëshmisë, Aldo Gjini ka hyrë në qelinë e tij së bashku me Jurgen Zotajn, i cili i ka dhënë një telefon ku në linjë ndodhej Liçi. Menjëherë pas telefonatës, sipas Bajrit, Zotaj ka tentuar ta godasë me thikë.
“Aldo Gjini kërkoi të më takonte. Erdhi në qelinë time bashkë me Jurgen Zotajn. Zotaj më dha një telefon; në linjë ishte Ibrahim Liçi. Liçi më tha në telefon: “Jeta jote kaq e pati”. Në ato momente, Zotaj tentoi të më sulmonte me thikë”, tha Bajri.
Gjatë përleshjes, Bajri dhe Zotaj mbetën të plagosur dhe morën ndihmë mjekësore.
Ngjarja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë brenda burgut të Fierit. Hetimet po përqendrohen te mënyra se si të dënuarit kanë mundur të lëvizin nga një godinë në tjetrën, si dhe te futja e telefonit në qeli, përdorimi i të cilit është i ndaluar.
Pas incidentit, tetë punonjës të Policisë së Burgjeve janë përjashtuar, ndërsa rasti është referuar në Prokurori për shpërdorim detyre. Dy të burgosur janë izoluar për tre muaj dhe më pas janë transferuar në burgje të tjera.