“Rama jep dorëheqjen”/ Sot protesta e 72-të, qytetarët vijojnë tubimet

Qytetarët do të mblidhen sot për të 72-ën ditë radhazi në protestë kundër qeverisë Rama, duke vijuar tubimet që prej më shumë se dy muajsh në Tiranë.
Protesta nisi si reagim i drejtpërdrejtë ndaj situatës së ndodhur në Zvërnec, por më pas kërkesat u zgjeruan, duke vendosur në qendër dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Me pankarta dhe flamuj kuqezi, në tubime kanë marrë pjesë fëmijë, të moshuar, studentë, profesionistë, aktivistë dhe turistë. Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa, mes tyre dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit Rama, krijimin e një qeverie teknike dhe ndryshime kushtetuese.
Tubimet janë shoqëruar me marshime në rrugët kryesore të Tiranës dhe ndalesa pranë institucioneve, përfshirë Parlamentin, ku protestuesit kanë përcjellë mesazhe për deputetët.
Gjatë protestave janë dëgjuar thirrjet: “Edi Rama, o tradhtar, me Shqipërinë mos bëj Pazar”, “Rama, jep dorëheqjen”, “Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Poshtë patronazhistët”, “Shqipëria e shqiptarëve, vdekje tradhtarëve”, “Shqipëria kërkon revolucion”, “O Erion, o legen, prite Ramën se po vjen” dhe “Ju erdhi fundi”.