Skip to content
Kryesore

I vuri flakën apartamentit me vëlla e motër brenda, arrestohet 33-vjeçari në Vlorë! Motivi, konkurrenca në biznes

· 2 min lexim

Policia e Vlorës ka zbardhur brenda 48 orësh autorësinë e djegies së një apartamenti në lagjen “Lef Sallata”, ngjarje që fillimisht u dyshua se ishte aksidentale. Në pranga ka përfunduar B. H., 33 vjeç, i dyshuar se i vuri zjarrin derës së apartamentit ku në atë moment ndodheshin dy persona, vëlla e motër.

Sipas hetimeve paraprake, motivi i ngjarjes dyshohet të ketë qenë konkurrenca në biznes. Autori dhe pronarët e apartamentit ushtronin të njëjtën veprimtari ekonomike, atë të dhënies me qira të apartamenteve në qytetin e Vlorës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të datës 4 gusht 2026, kur policia mori njoftim se një apartament ishte përfshirë nga flakët. Menjëherë në vendngjarje shkuan specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, të cilët, nën drejtimin e Prokurorisë, kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rastit.

Si rezultat i hetimeve intensive, brenda 48 orësh u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi i 33-vjeçarit. Sipas policisë, ai dyshohet se në orët e para të mëngjesit i ka vënë zjarrin derës së apartamentit për shkak të konkurrencës me pronarët, pasi të dyja palët merreshin me qiradhënien e apartamenteve në Vlorë.

Nga zjarri nuk pati persona të lënduar, por u shkaktuan dëme materiale të konsiderueshme në banesë.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.