SafeJournalists kundër rregullores së GJKKO-së: Kufizon punën e gazetarëve dhe raportimin nga sallat e gjyqit

Rrjeti SafeJournalists ka reaguar ndaj rregullores së re të GJKKO-së, duke shprehur shqetësim se një sërë dispozitash rrezikojnë të kufizojnë punën e gazetarëve dhe raportimin e proceseve gjyqësore me interes të lartë publik.
Sipas organizatës, kërkesa për akreditim vjetor dhe individual, procedurat për marrjen e aksesit në seanca, si edhe afati 24-orësh për paraqitjen e kërkesave në raste të caktuara, mund të krijojnë pengesa të panevojshme, veçanërisht për gazetarët freelancer, reporterët e rinj dhe redaksitë e vogla. SafeJournalists thekson se akreditimi nuk duhet të shndërrohet në kusht për ndjekjen e seancave publike.
Në reagim kundërshtohet edhe ndalimi i përdorimit të telefonave celularë, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë seancave, pasi sipas rrjetit kjo pengon mbajtjen e shënimeve, komunikimin me redaksitë dhe raportimin në kohë. Organizata propozon masa më pak kufizuese, si përdorimi i pajisjeve në modalitet të heshtur ose kufizime vetëm për regjistrimet e paautorizuara.
SafeJournalists shpreh rezerva edhe për rregullat mbi filmimin dhe fotografimin e seancave, si dhe për dispozitat që lidhen me inteligjencën artificiale dhe masat disiplinore ndaj gazetarëve, duke theksuar se mungon një mekanizëm i shpejtë ankimi për rastet e refuzimit ose pezullimit të akreditimit.
Në përfundim, rrjeti i bën thirrje GJKKO-së të pezullojë zbatimin e dispozitave të kundërshtuara dhe të rishikojë rregulloren përmes konsultimeve me organizatat e medias, ekspertët ligjorë dhe shoqërinë civile, me qëllim garantimin e një balancë mes administrimit të drejtësisë dhe lirisë së medias.