Skip to content
Kryesore

Alarm në Greqi! Virusi i Nilit Perëndimor përhapet me shpejtësi, 6 viktima dhe 65 të infektuar

· 2 min lexim

Virusi i Nilit Perëndimor po përhapet me ritme shqetësuese në Greqi, ndërsa autoritetet shëndetësore kanë ngritur alarmin pas rritjes së ndjeshme të rasteve gjatë javës së fundit. Deri tani janë konfirmuar 65 të infektuar dhe 6 viktima, të gjitha mbi moshën 65 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, 54 nga të infektuarit kanë zhvilluar komplikacione serioze në sistemin nervor qendror, si encefalit, meningjit dhe paralizë akute. Aktualisht, 20 pacientë po trajtohen në spitale, ndërsa 8 prej tyre ndodhen në terapi intensive.

Vatrat kryesore të virusit janë identifikuar në Atikë, ku përfshihet edhe zona e Athinës, si dhe në Thesali dhe Maqedoninë Qendrore. Autoritetet raportojnë qarkullim veçanërisht të lartë të virusit në Atikë, ndërsa disa rajone të tjera janë klasifikuar me rrezik të lartë, edhe pse ende nuk kanë regjistruar raste te njerëzit.

Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave të infektuara, të cilat e marrin virusin nga shpendët. Ai nuk transmetohet nga një person te tjetri përmes kontaktit të zakonshëm.

Rreth 80% e të infektuarve nuk shfaqin simptoma, ndërsa shumica e rasteve të tjera paraqesin shenja të lehta të ngjashme me gripin. Megjithatë, në më pak se 1% të rasteve zhvillohen komplikacione të rënda neurologjike. Më të rrezikuarit janë të moshuarit, personat me sëmundje kronike dhe ata me sistem imunitar të dobësuar.

Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se sezoni i transmetimit të virusit është ende aktiv dhe nuk përjashtohet regjistrimi i rasteve të reja edhe në rajone të tjera të Greqisë.