Skip to content
Kryesore

Reagon sërish Pacolli: “S’doja që taksapaguesit shqiptarë të paguanin pasojat e veprimeve të disa zyrtarëve”, çon Qeverinë në Arbitrazh për Aeroportin e Vlorës

· 2 min lexim

Pas njoftimit të Qeverisë për nisjen e procedurës së zgjidhjes së kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish, këtë herë pasi kompania MABCO Constructions SA mori edhe shkresën zyrtare të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pacolli bën me dije se MABCO do ta çojë çështjen në arbitrazh ndërkombëtar, duke e cilësuar këtë si të vetmen rrugë për mbrojtjen e të drejtave të kompanisë.

“Unë nuk kam dëshiruar kurrë që taksapaguesit shqiptarë të paguajnë pasojat e veprimeve ose mosveprimeve të disa zyrtarëve. Megjithatë, në rrethanat e krijuara, MABCO nuk ka më asnjë alternativë tjetër përveç mbrojtjes së të drejtave të saj me të gjitha mjetet juridike që parashikojnë kontrata dhe e drejta ndërkombëtare”, shprehet Pacolli.

Ai pretendon se gjatë më shumë se një viti kompania është përballur me pengesa që, sipas tij, e kanë pamundësuar përmbushjen e detyrimeve kontraktore, duke përmendur tentativa për tjetërsimin e kuotave të investitorit, masa gjyqësore kontradiktore, përjashtimin nga administrimi i investimit dhe bllokimin fizik të kantierit.

Pacolli akuzon institucionet shqiptare për veprime dhe mosveprime që, sipas tij, kanë çuar në situatën aktuale. Ai thotë se MABCO ka kërkuar vazhdimisht një auditim të pavarur ndërkombëtar teknik dhe financiar për investimin, por kërkesa është refuzuar ose është lënë pa përgjigje.

Sipas tij, në arbitrazhin që e cilëson tashmë të pashmangshëm, kompania do të paraqesë të gjitha faktet, provat dhe dokumentacionin që disponon, ndërsa shprehet i bindur se procesi do të nxjerrë në dritë të vërtetën. Ai thekson se konflikti nuk është kërkuar nga MABCO, por është pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që, sipas tij, kishin detyrimin të mbronin kontratën dhe investimin.