Euro bie në minimum historik, sezoni turistik e çon në 93.2 lekë

Euro ka zbritur në nivelin më të ulët të viteve të fundit, duke arritur në 93.28 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Rënia vjen në kulmin e sezonit turistik, kur hyrjet e larta të valutës nga turistët, emigrantët dhe aktiviteti sezonal kanë shtuar ofertën e euros në treg.
Në blerje euro këmbehet me 92.97 lekë dhe në shitje me 93.61 lekë, ndërsa në disa pika të këmbimit valutor blihet edhe me 92.4 lekë. Krahasuar me një vit më parë, kur euro këmbehej me 97.32 lekë, monedha europiane ka humbur 4.04 lekë në vlerë.
Zhvlerësimi favorizon qytetarët dhe bizneset që paguajnë kredi, importe apo udhëtime në euro, por dëmton eksportuesit, sektorin e turizmit që arkëton në euro dhe familjet që marrin remitanca, pasi përfitojnë më pak lekë për të njëjtën shumë.
Ndërkohë, rezerva valutore e vendit ka arritur në 7.669 miliardë euro, rreth 889 milionë euro më shumë se një vit më parë. Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros, Banka e Shqipërisë ka shtuar ndërhyrjet në treg, duke blerë 95.5 milionë euro vetëm në tremujorin e parë të vitit. Për vitin 2026, banka qendrore synon të blejë 330–450 milionë euro nga tregu.