Skip to content
Kryesore

Qeveria nis anulimin e koncesionit të aeroportit të Vlorës, Pacolli: Shkojmë në arbitrazh, kam investuar 320 mln euro

· 1 min lexim

Qeveria ka nisur procedurën për anulimin e kontratës së koncesionit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës. Pas raportimeve, ka reaguar biznesmeni Behgjet Pacolli, i cili deklaron se kompania MABCO Constructions SA nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare.

Pacolli thotë se, nëse procedura konfirmohet, shteti shqiptar po zgjedh rrugën e arbitrazhit ndërkombëtar. Ai pretendon se MABCO ka investuar mbi 320 milionë euro, kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej pranë fazës së certifikimit të aeroportit.

Sipas tij, kompania u pengua të përfundonte projektin pasi nuk u lejua të hynte në kantier, ndërsa pajisje me vlerë u dëmtuan dhe u vodhën. Pacolli e cilëson paradoks që, sipas tij, institucionet penguan punimet dhe tani po e përdorin këtë si arsye për zgjidhjen e kontratës.

Ai paralajmëron se MABCO do t’i drejtohet arbitrazhit tregtar ndërkombëtar për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të saj, duke theksuar se kjo është pasojë e veprimeve që ai i konsideron të paligjshme nga institucionet shqiptare.