Nafta bie gati 10% në bursë, por në Shqipëri mbetet 214 lekë/litër! Kur u rrit me 1%, çmimi u shtrenjtua menjëherë

Rritjet e çmimit të naftës mbërrijnë me shpejtësi te pompat e karburantit, ndërsa uljet duket se ngecin rrugës. Kjo është ajo që po ndodh edhe këtë herë, teksa drejtuesit e automjeteve në Shqipëri vazhdojnë të paguajnë 214 lekë për litër, megjithëse çmimi i naftës në bursën e Mesdheut ka rënë ndjeshëm.
Në tregjet ndërkombëtare, nafta Brent ka humbur terren gjatë ditëve të fundit, ndërsa edhe karburantet e rafinuara në bursën e Mesdheut kanë shënuar rënie të fortë. Tregjet reaguan pas pritshmërive për marrëveshje të reja tregtare dhe uljes së tensioneve në Lindjen e Mesme, zhvillime që zakonisht ushtrojnë presion për uljen e çmimeve.
Edhe të dhënat e Doganave shqiptare e konfirmojnë këtë tendencë. Sipas bursës Platts, më 31 korrik nafta u zhdoganua me 1,406 dollarë për ton, ndërsa më 3 gusht çmimi kishte rënë në 1,270 dollarë për ton. Bëhet fjalë për një ulje prej 136 dollarësh për ton, ose rreth 9.7%.
Kontrasti bëhet edhe më i fortë nëse krahasohen zhvillimet e fundit. Nga 29 deri më 31 korrik, çmimi në bursë u rrit vetëm nga 1,393 në 1,406 dollarë për ton, një rritje prej rreth 1%, por kjo u reflektua menjëherë në Shqipëri. Më 1 gusht, çmimi i naftës në pikat e karburantit u rrit nga 206 në 214 lekë për litër, ose 8 lekë më shumë.
Ndërsa tani, edhe pse kostoja e importit ka rënë me afro 10%, çmimi në pompat e karburanteve nuk ka lëvizur dhe vijon të mbetet 214 lekë për litër.
Ekspertët e tregut argumentojnë se lëvizjet në bursat ndërkombëtare nuk reflektohen gjithmonë me të njëjtën shpejtësi në tregun vendas. Megjithatë, diferenca mes mënyrës se si u reflektua rritja dhe mungesës së reagimit ndaj uljes ngre pikëpyetje.
Për momentin, qytetarët vazhdojnë të paguajnë të njëjtin çmim, ndërsa mbetet për t’u parë se kur dhe në çfarë mase rënia e kostos së importit do të reflektohet edhe në xhepat e konsumatorëve.