Skip to content
Kryesore

Franca merr kërkesën për ekstradimin e Ermal Beqirit, SPAK e kërkon në Shqipëri

· 2 min lexim

Ministria e Drejtësisë u ka përcjellë autoriteteve franceze kërkesën për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiri, pas arrestimit të tij disa ditë më parë në Francë. Lajmi konfirmohet nga burime pranë Prokurorisë së Posaçme, sipas të cilave SPAK i ka kërkuar ministrisë të nisë procedurat për kthimin e tij në Shqipëri.

Kërkesa për ekstradim shoqërohet me vendimin e Gjykatës së Posaçme, e cila ka caktuar ndaj Beqirit masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi ai dyshohet për kryerjen e shtatë veprave penale.

Beqiri u arrestua në Francë pasi u kap duke fluturuar me një avion privat mbi një central. Më herët, SPAK njoftoi se i ka kërkuar autoriteteve franceze sekuestrimin e pasurive që dyshohet se burojnë nga veprimtaria kriminale, mes tyre llogari bankare me vlerë mbi 2 milionë euro, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.

Biznesmeni kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderët e AKSH-së. Ndaj tij janë ngritur akuzat për “Konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Grup të strukturuar kriminal”, “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.