Skip to content
Kryesore

Goditet rrjeti që trafikonte shqiptarë drejt Britanisë, SHBA-së dhe Kanadasë kundrejt 10,000 euro për person/ GJKKO jep 155 vite burg për grupin kriminal

· 3 min lexim

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dënuar me një total prej 155 vitesh burg 28 të pandehur, të shpallur fajtorë për veprën penale të ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal që organizonte trafikimin e emigrantëve kundrejt pagesave prej mijëra eurosh.

Vendimi u dha nga trupi gjykues i përbërë nga Erjon Bani, Irena Gjoka dhe Atalanda Zeqiraj.

Sipas hetimeve të SPAK, rrjeti kriminal ka vepruar gjatë viteve 2022–2024, duke organizuar largimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë. Grupi siguronte dokumente të falsifikuara dhe, përmes një rrjeti ndërmjetësish, organizonte udhëtimet me rrugë tokësore, ajrore dhe detare.

Në skemë përfshiheshin edhe agjencitë e udhëtimit “Domi Travel” dhe “Boris Travel”, të cilat, sipas SPAK, bashkëpunonin për transportimin e personave dhe dokumenteve të falsifikuara. Për këtë shërbim, emigrantët paguanin nga 3 mijë deri në 10 mijë euro, ndërsa pagesat kryheshin pasi ata mbërrinin në destinacionin final.

Hetimet zbuluan se shqiptarët largoheshin nga vendi me pasaportat e tyre origjinale drejt zonës Schengen, ndërsa dokumentet e falsifikuara për të vijuar udhëtimin drejt Britanisë së Madhe dhe Irlandës u dërgoheshin me postë në hotelet ku qëndronin në Spanjë. Më pas, me këto dokumente, ata udhëtonin drejt destinacioneve finale, kryesisht për arsye ekonomike ose bashkim familjar.

SPAK konstatoi gjithashtu se dokumentet false prodhoheshin në një laborator të ngritur në Tiranë, i pajisur me kompjuterë, printera dhe pajisje të tjera. Gjatë kontrollit u sekuestruan 37 vula institucionesh shtetërore dhe private, të përdorura për falsifikime të ndryshme, përfshirë aplikime për viza, si edhe një shumë e konsiderueshme parash.

Ndër personat e përfshirë ishte edhe Ylli Riza Brahimaj, i cili, megjithëse ndodhej në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, sipas SPAK kishte vijuar prodhimin e dokumenteve të falsifikuara nga banesa, së bashku me të birin, ku kishte ngritur një laborator të mirëfilltë për këtë aktivitet.

Të dënuarit janë:

  • Njazi Ademaj
  • Ylli Riza Brahimaj
  • Rrezart Nasuf Domi
  • Osman Xhetan Luca
  • Artur Bajram Mici
  • Arsen Çlirim Caka
  • Jugert Fatmir Gashi
  • Emiljan Kin Marashi
  • Amarildo Xhetan Luca
  • Robert Lili Gjika
  • Roland Halil Islamaj
  • Xhelal Vehbi Krasniqi
  • Fitim Ramadan Rama
  • Gridi Arben Elezi
  • Maksim Nasuf Domi
  • Dritan Adem Cena
  • Redi Ferdinand Salaj
  • Behar Neshat Nuhiallari
  • Behar Nuredin Rexha
  • Deila Aljosha Qama
  • Arnold Xhevdet Shahu
  • Ylli Dule Caushaj
  • Ardit Bardhyl Shtylla
  • Murat Hysen Gjuniku
  • Bardhyl Halim Imeri
  • Bajram Myslim Xhaja
  • Besnik Nikoll Lumaj
  • Altin Hasan Neli
  • Fatmir Sulejman Stankova
  • Arben Sulo Rushiti
  • Leonardo Sabri Lama