Skip to content
Kryesore

“Gabova në Shqipëri, ndërtova shumë shpejt”/ Auron Tare: Qeveria t’u japë përgjigje qytetarëve për Portin e Durrësit

· 1 min lexim

Arkeologu dhe studiuesi Auron Tare ka reaguar pas deklaratës së biznesmenit Mohamed Alabbar, i cili u shpreh se investimi i tij në Shqipëri ishte një gabim, duke pranuar se kishte ndërtuar shumë shpejt.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tare rikthen në vëmendje projektin e Portit të Durrësit, i prezantuar nga qeveria si një nga investimet më të mëdha dhe më ambicioze në Europë, duke kërkuar sqarime publike për të ardhmen e tij.

“Alabbari, investitori që u paraqit si njeriu që do t’i sillte Shqipërisë një nga projektet më ambicioze në Europë, sot thotë me gojën e vet: ‘Në Shqipëri kam bërë gabim’,” shkruan Tare.

Sipas tij, kjo deklaratë ngre pikëpyetje serioze mbi fatin e projektit të Portit të Durrësit dhe kërkon një reagim zyrtar nga qeveria.

Tare thekson se qytetarët kanë të drejtë të dinë se në çfarë faze ndodhet investimi, çfarë pasojash sjell deklarata e Alabbar dhe cili do të jetë hapi i radhës për një projekt që u promovua si strategjik për zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai kërkon që institucionet të japin përgjigje të qarta dhe transparente mbi ecurinë e projektit dhe të ardhmen e investimit në Portin e Durrësit.