Skip to content
Kryesore

Klosi, Poliçani, Memaliaj, Libohova… Shqipëria po ngrihet kundër reformës territoriale: Tani është koha të bashkohemi të gjithë

· 4 min lexim

Reforma territoriale ka ndezur një valë reagimesh që po zgjerohet nga dita në ditë. Fillimisht ishte Përrenjasi. Më pas Klosi, ku punonjësit bojkotuan punën dhe qytetarët dolën në protestë. Pas tyre erdhi Poliçani, ku u dogjën teserat e Partisë Socialiste dhe drejtuesi lokal dha dorëheqjen duke u deklaruar i tradhtuar bashkë me qytetarët nga PS. Në Memaliaj, kryebashkiaku socialist thirri qytetarët në protestë për të mbrojtur bashkinë, ndërsa në Libohovë edhe kryebashkiaku Hide refuzoi të marrë pjesë në takime ku, sipas tij, nuk mbrohen të drejtat e qytetarëve.

Propozimi i Partisë Socialiste për reformën administrativo-territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46. Në listën e 15 bashkive që propozohet të shkrihen janë Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimali, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Përrenjasi. PS e paraqet planin si një përpjekje për rritjen e eficiencës dhe përmirësimin e shërbimeve, ndërsa kundërshtarët e shohin si centralizim të mëtejshëm të pushtetit dhe dobësim të përfaqësimit vendor.

Por qytetarët e kanë kuptuar menjëherë çfarë mund të sjellë shkrirja. Humbje të statusit të bashkisë, administratë të reduktuar, vende pune të rrezikuara, një buxhet të përbashkët të kontrolluar nga një qendër tjetër dhe më pak fuqi për të kërkuar shërbime e investime për komunitetin e tyre.

Prandaj reagimi po përhapet me shpejtësi.

Për herë të parë pas shumë kohësh, nuk kemi më një protestë të vetme lokale. Kemi disa qytete që po ngrihen njëri pas tjetrit kundër të njëjtit vendim. Pikërisht për këtë arsye, ky është momenti që këto protesta të mos mbeten të ndara, por të bashkohen me protestën e madhe kombëtare, së bashku me atë që aktualisht po zhvillohet.

Këtë thirrje, Gazeta Reforma e ka bërë prej muajsh e mujash të tërë.

Kur protestonte Fushë-Kruja, thamë se nuk duhej të lihej vetëm. Kur protestonin banorët e Thumanë-Kasharit dhe Bërxullës, bëmë thirrje që qytetarët të dilnin edhe për ta. E njëjta thirrje u bë për Dukatin, për Rrjollin, për Durrësin, për banorët e projektit TID dhe për çdo komunitet që u përball i vetëm me pushtetin. Fatkeqësisht, pothuajse të gjitha ato protesta mbetën lokale. U shuan njëra pas tjetrës, jo sepse kërkesat e tyre nuk ishin të drejta, por sepse pjesa tjetër e shoqërisë i pa si problemin e dikujt tjetër.

Sot kemi një mundësi që nuk e kemi pasur më parë.

Reagimi nuk po vjen vetëm nga një qytet. Ai po përhapet me shpejtësi. Punonjës bashkish, qytetarë dhe madje edhe drejtues socialistë po kundërshtojnë publikisht reformën. Nëse secili proteston vetëm për bashkinë e vet, historia do të përsëritet dhe çdo revoltë do të shuhet veçmas. Nëse të gjitha këto qytete bashkohen me protestën kombëtare, për herë të parë mund të krijohet një presion që pushteti të mos e përballojë dot duke i izoluar një nga një.

Mos prisni derisa halli t’ju vijë në derë.

Protestat e mëparshme nuk dështuan sepse kërkesat e tyre ishin të padrejta. U dobësuan sepse mbetën lokale, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për bashkim. Mos ta lejojmë të njëjtin fund edhe këtë herë.

Protesta kombëtare nuk duhet të jetë vetëm e një partie, një qyteti, një profesioni apo një grupi që preket sot. Duhet të jetë vendi ku mblidhen të gjitha padrejtësitë, të gjitha protestat dhe të gjithë qytetarët që deri tani kanë luftuar veçmas.

Vetëm një protestë e tillë mund të ketë peshën për të detyruar qeverinë të dëgjojë. Vetëm duke u bashkuar mund të arrihet synimi i madh i protestës kombëtare: dorëheqja e një qeverie që prej vitesh ka shtypur qytetarët dhe ka sunduar mbi ndarjen, frikën dhe heshtjen e tyre.

Ky është momenti. Jo pasi të shkrihet bashkia. Jo pasi të humbet puna. Jo pasi të merret prona. Jo pasi protesta e radhës të shuhet.

Tani.