Skip to content
Kryesore

Eurostat nxjerr në pah realitetin e hidhur: Mbi gjysma e familjeve shqiptare nuk përballojnë dot as një javë pushime

· 3 min lexim

Shqipëria është e rrethuar nga bregdeti, liqenet dhe Alpet, por për më shumë se gjysmën e familjeve shqiptare një javë pushime në vit mbetet një luks i paarritshëm. Të dhënat më të fundit të Eurostat e rendisin vendin ndër shtetet me nivelin më të lartë të privimit ekonomik në Europë për sa i përket mundësisë për të financuar pushimet.

Sipas statistikave të Eurostat, që për vendet e Bashkimit Europian i referohen vitit 2025 dhe për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime larg banesës. Më keq se Shqipëria renditet vetëm Rumania, ku kjo përqindje kalon 60%.

Pas Shqipërisë vijnë Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me afro 48% dhe Greqia me rreth 47%. Të dhënat tregojnë se ky fenomen është më i përhapur në vendet e Europës Juglindore dhe në ekonomitë me të ardhura më të ulëta.

Krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria paraqitet në një situatë më të vështirë. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë një javë pushime, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo shifër është rreth 39%. Italia regjistron një nivel prej 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten mes 32% dhe 33%.

Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, pothuajse gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Kjo do të thotë se familjet shqiptare preken gati dy herë më shumë nga pamundësia për të financuar një javë pushime sesa mesatarja e familjeve në BE.

Në vendet me standard më të lartë jetese, përqindjet janë dukshëm më të ulëta. Në Gjermani dhe Irlandë, rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi kjo përqindje zbret në 12-13%. Nivelet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, ku më pak se 10% e familjeve përballen me këtë problem, si dhe në Luksemburg, me rreth 11%.

Sipas Eurostat, pozicioni i Shqipërisë lidhet me nivelin e ulët të të ardhurave të familjeve dhe me faktin se pjesa më e madhe e buxhetit shkon për shpenzimet bazë, si ushqimi, strehimi, energjia dhe transporti, duke lënë shumë pak hapësirë për shpenzime të tjera, si pushimet.

Ky tregues nuk mat nëse familjet kanë zgjedhur ose jo të bëjnë pushime, por nëse ato kanë mundësi financiare të paguajnë një javë larg shtëpisë, brenda ose jashtë vendit. Familjet që nuk udhëtojnë për zgjedhje personale nuk konsiderohen automatikisht pjesë e këtij treguesi të privimit material.