Qytetarët në këmbë, opozita në gjunjë! “Sulltani piktor” peshkon sërish në radhët e saj

Për trembëdhjetë vite me radhë, shqiptarët kanë parë të njëjtën histori të përsëritet. Arrogancë ndaj qytetarëve, përçmim ndaj kundërshtarëve politikë, shpërfillje ndaj çdo zëri kritik dhe bindjen se pushteti mund të bëjë gjithçka pa dhënë llogari. Sot, kur vetë qytetarët kanë nisur të ngrihen për jetën, pronën dhe të drejtat e tyre, do të pritej që edhe opozita të gjente më në fund kurajën për t’u përballur. Por duket se ka ndodhur e kundërta. Përballë një opozite të lodhur, të mpirë dhe pa reagim, “sulltani piktor” nuk e ndien më as nevojën të ruajë aparencat. Ai vazhdon ta shfaqë forcën e tij politikisht në mënyrën më demonstrative të mundshme.
Emërimi i Jola Hysës në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit është vetëm episodi më i fundit. Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, e cila u largua nga strukturat drejtuese të PD-së në mars të këtij viti, do të drejtojë tashmë institucionin përgjegjës për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik.
Por ky nuk është një rast i izoluar. Pak javë më parë, ish-deputetja demokrate Zheni Gjergji u emërua në krye të Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli” në Elbasan. Më pas ishte radha e ish-deputetit Dashnor Sula, i cili mori detyrën e Kryeinspektorit të Përgjithshëm. Ndërsa edhe Silva Caka, e ardhur nga Partia e Lirisë, u emërua zëvendësministre e Brendshme.
Kur këto emërime përsëriten njëri pas tjetrit, nuk mund të konsiderohen më rastësi. Ato krijojnë bindjen se kemi të bëjmë me një strategji të qartë politike, ku Edi Rama nuk kërkon vetëm të afrojë figura të larguara nga opozita. Ai duket se kërkon të japë një mesazh shumë më të fortë: se mund ta bëjë këtë sa herë të dojë dhe me kë të dojë, pa hasur as rezistencë dhe as kosto politike.
Dhe pikërisht kjo është pjesa më shqetësuese: Mënyra se si këto emërime po shndërrohen në një demonstrim force ndaj një opozite që nuk po arrin të reagojë.
Pas trembëdhjetë vitesh, kur qytetarët kanë filluar të japin shenja reagimi përballë problemeve që prekin jetën e tyre të përditshme, do të pritej që edhe opozita të kishte gjetur energjinë për të mbrojtur jo vetëm kauzat e saj, por edhe dinjitetin e saj politik. Në vend të kësaj, ajo duket gjithnjë e më e rraskapitur, më e heshtur dhe më e pafuqishme përballë një pushteti që nuk fsheh më asgjë.
Kjo është arsyeja pse “sulltani piktor” sillet me kaq vetëbesim. Ai nuk ka më nevojë për lëvizje të kujdesshme apo negociata në prapaskenë. Emërimet bëhen publikisht, njëri pas tjetrit, sikur të jenë një trofe politik dhe një kujtesë se kundërshtari përballë nuk është në gjendje as të mbajë njerëzit pranë vetes.
Si ka mundësi që, ndërsa qytetarët po gjejnë kurajën të ngrihen për jetën dhe të ardhmen e tyre, opozita vazhdon të mos gjejë kurajën të ngrihet për veten? Sepse sa herë një tjetër figurë largohet nga radhët e saj dhe përfundon në një post të rëndësishëm të qeverisë, konsolidohet edhe bindja se “sulltani piktor” po e kthen dobësinë e kundërshtarëve të tij në një spektakël të hapur politik.