Arrestimi i Ermal Beqirajt në Francë, Lutfi Dervishi: Ishte në kërkim ndërkombëtar, por bleu avionë dhe udhëtoi lirshëm: Si mund të ndodhë kjo?

Gazetari Lutfi Dervishi ka reaguar pas arrestimit në Francë të Ermal Beqirajt, person i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare dhe për të cilin ishte raportuar se kërkohej ndërkombëtarisht.
Në një shënim të publikuar në Facebook, Dervishi ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si Beqiraj, ndonëse në kërkim, ka mundur të blejë avionë, t’i regjistrojë në vende europiane dhe të udhëtojë drejt Francës.
“Ndërkohë që është në kërkim, ai ble avionë, i regjistron në Austri dhe Slloveni dhe fluturon në Francë”, shkruan gazetari, duke ngritur pyetjen: “Si mund të ndodhë kjo?”.
Sipas dosjes së SPAK, ndaj Beqirajt rëndojnë akuza të rënda që lidhen me çështjen e tenderëve të AKSHI-t.
Dervishi vë në dyshim funksionimin e mekanizmave të kërkimit ndërkombëtar, duke theksuar se lëvizjet dhe transaksionet e kryera prej tij vështirë se mund të kalonin pa u konstatuar nga autoritetet.
Postimi i plotë:
“Sipas dosjes së SPAK, ndaj tij rëndojnë akuza tejet të rënda për çështjen e tenderëve të AKSHI-t, ndërkohë që është në kërkim, ai ble avionë, i regjistron në Austri dhe Slloveni dhe fluturon në Francë.
Si mund të ndodhë kjo, nëse ishte (vërtet) në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria?”