Skip to content
Kryesore

Udhëtimet e Veliajt nën lupën e SPAK-ut/ Çfarë mund të zbulojnë prokurorët për fluturimet dhe dietat

· 2 min lexim

Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, me urdhër të SPAK-ut dhe me vendim të gjykatës, ushtruan kontrolle në Bashkinë e Tiranës, ku sekuestruan dosje dhe materiale të ndryshme.

Mes dokumenteve të sekuestruara ishin edhe materiale që lidhen me udhëtimet dhe dietat e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Nëse SPAK-u ka shkuar në Bashkinë e Tiranës për të marrë dokumentacionin mbi udhëtimet e Veliajt, ky mund të konsiderohet një veprim i vonuar në kuadër të hetimeve ndaj tij.

Në arkivat e bashkisë, prokurorët mund të gjejnë të dhëna për udhëtimet zyrtare, ftesat për aktivitete të ndryshme, shpenzimet për bileta, akomodimin dhe dietat e përfituara gjatë qëndrimeve jashtë vendit. Por këto dokumente mund të mos tregojnë të gjithë panoramën e lëvizjeve të kryebashkiakut.

Erion Veliaj nuk ka kryer vetëm udhëtime të paguara nga Bashkia e Tiranës me taksat e qytetarëve. Pikërisht për këtë arsye, hetuesit pritet të verifikojnë nëse ka pasur udhëtime të financuara nga persona, kompani, organizata apo subjekte të tjera dhe nëse ato janë deklaruar sipas detyrimeve ligjore.

Shpenzimet për udhëtimet e paguara nga bashkia mund të arrijnë në qindra milionë lekë përgjatë dhjetë viteve të Veliajt në krye të institucionit, duke marrë parasysh numrin e lartë të vizitave jashtë vendit, si dhe ditët e pushimeve.

Një analizë e plotë e fluturimeve, rezervimeve, pagesave dhe personave që kanë financuar udhëtimet mund t’u japë prokurorëve të SPAK-ut të dhëna të rëndësishme për të kuptuar jo vetëm kostot e përballuara nga buxheti publik, por edhe lidhjet apo interesat që mund të fshihen pas udhëtimeve të tjera.

Ndërkohë, Veliaj ka deklaruar publikisht se duhet të rikthehet në detyrë, se nuk duhet të qëndrojë në burg dhe se duhet t’u shërbejë qytetarëve të Tiranës. Megjithatë, dokumentet e sekuestruara mund të tregojnë se sa kohë ka kaluar realisht në krye të bashkisë dhe sa ditë ka qëndruar jashtë Shqipërisë gjatë mandatit të tij.