Skip to content
Kryesore

Nis gjyqi ndaj Laert Haxhiut në GJKKO, dëshmitari rrëfen momentin e vrasjes: I foli dikush, ktheu kokën dhe u dëgjuan krismat

· 3 min lexim

Ka nisur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme procesi gjyqësor ndaj Laert Haxhiut, i akuzuar për një sërë ngjarjesh kriminale. I pandehuri ka njoftuar me një deklaratë me shkrim se nuk dëshiron të jetë i pranishëm në seancat gjyqësore, por ka pranuar të përfaqësohet nga avokatët e tij mbrojtës, Detar Hysi dhe Dritan Jahaj. Gjykata bëri të ditur se çështja ndodhet në fazën e marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Në seancën e kësaj të marte u paraqitën 12 dëshmitarë, ndërsa procesi vijon me administrimin e provave dhe dëgjimin e personave të thirrur nga gjykata.

Mes dëshmitarëve ishte edhe Xhuliano Xhaferraj, i cili dëshmoi për vrasjen e vëllait të tij, Fridman Xhaferraj, i gjetur i pajetë më 13 qershor 2021 në një rezervuar në Korçë.

Ai deklaroi se në kohën e ngjarjes ndodhej në burg dhe mori vesh për vdekjen e të vëllait vetëm pasi u lirua. Xhaferraj tregoi se Fridmani i kishte thënë më herët se do të largohej jashtë shtetit, ndërsa sipas tij, në Elbasan ishte ndarë nga vëllai tjetër dhe kishte mbetur në shoqërinë e Lul Spahisë dhe Kristi Bixherit.

I pyetur se kush mund të kishte autorësinë e krimit, dëshmitari tha se nuk kishte dijeni, por shtoi se në Lushnjë qarkullonin fjalë se urdhri për vrasjen ishte dhënë nga Laert Haxhiu. Ai theksoi se vetë nuk ishte i bindur për këtë dhe nuk besonte se Haxhiu ishte autori.

Gjatë dëshmisë, Xhuliano Xhaferraj foli edhe për të kaluarën e vëllait të tij, duke deklaruar se ai përdorte lëndë narkotike, kishte pasur probleme me drejtësinë dhe kishte kryer disa dënime me burg. Ai konfirmoi gjithashtu se Fridman Xhaferraj njihte Artan Tafanin, pasi të dy kishin qenë në burgun e Rrogozhinës.

Në pyetjet e mbrojtjes, dëshmitari tha se familja e tij kishte marrëdhënie miqësore me familjen e Laert Haxhiut dhe se asnjë prej familjarëve të këtij të fundit nuk e kishte vizituar. Ai deklaroi gjithashtu se Artan Tafani ishte përdorues i rregullt i lëndëve narkotike.

Më pas para gjykatës dëshmoi Sami Bashaliu për vrasjen e Albi Bashaliut në Gjoçaj të Peqinit, në dhjetor të vitit 2021.

Ai tregoi se ngjarja ndodhi pranë lokalit të tij, vetëm pak ditë para Vitit të Ri. Sipas dëshmisë, viktima hyri fillimisht në lokal për të pirë kafe dhe sapo doli jashtë, dikush e thirri.

“I ndjeri Bashaliu hyri për të pirë kafe dhe, në momentin që doli, dikush i foli. Bashaliu ktheu kokën dhe u dëgjua zhurma e armës. Ai djali ishte i gjatë, i hollë dhe e kishte mbuluar kokën me maskë. E qëlloi. Djemtë që ishin në lokal u trembën dhe ikën. Ishte një person që qëlloi, por ishin dy persona gjithsej; tjetri qëndroi në makinë”, deklaroi ai.

Dëshmitari shtoi se autori mori çelësat e viktimës, ndërsa telefonin nuk e preku. Sipas tij, personi tjetër i vuri flakën automjetit me benzinë dhe më pas të dy u larguan nga vendi i ngjarjes.