BBC: Bandat shqiptare kanë rol kyç në trafikun e kokainës nga Ekuadori

Ekuadori po përballet me një krizë të thellë sigurie, ndërsa lufta mes shtetit dhe karteleve të drogës po përshkallëzohet. BBC raporton se vendi është kthyer në një nga nyjet kryesore të trafikut ndërkombëtar të kokainës, ku bandat vendase bashkëpunojnë me kartelet meksikane dhe grupet kriminale shqiptare për shpërndarjen e drogës drejt Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Një nga zonat më të prekura është qyteti i Duranit, ku kapiteni i Policisë Jean Carlos Bustamante drejton një njësi të posaçme kundër krimit të organizuar. Sipas tij, sfida më e madhe nuk janë vetëm grupet kriminale, por edhe korrupsioni i përhapur në institucionet shtetërore.
“Ne kemi shumë njerëz të këqij brenda policisë, brenda shtetit dhe politikës. Shumë prej tyre janë të korruptuar dhe paguhen nga bandat kriminale”, shprehet ai.
Gjatë një operacioni në një lagje të kontrolluar nga banda “Los Aguilas”, policia bastisi një banesë të braktisur ku gjeti dy armë zjarri dhe municion për pushkë automatike. Bustamante tha se çdo armë e sekuestruar është një rrezik më pak për qytetarët, por pranoi se kjo përbën vetëm një sukses të vogël në një luftë shumë më të madhe.
“Bandat kanë shumë më tepër armë dhe para sesa shteti”, deklaroi ai.
Kapiteni tregoi se ka humbur tre miq të ngushtë gjatë përballjeve me grupet kriminale. Ai tha se nuk ka më frikë për jetën e tij, por prindërit jetojnë çdo ditë me ankthin se mund të mos e shohin më të kthehet në shtëpi.
Sipas autoriteteve ekuadoriane, rreth 70 për qind e kokainës që mbërrin në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara kalon përmes Ekuadorit. Droga hyn nga Kolumbia dhe Peruja, dy prodhuesit më të mëdhenj të kokainës në botë, ndërsa bandat vendase, në bashkëpunim me kartelet meksikane dhe grupet kriminale shqiptare, organizojnë transportin drejt tregjeve ndërkombëtare.
Pozicioni gjeografik, kufijtë e dobët, mungesa e burimeve për forcat e sigurisë dhe dalja e gjatë në Oqeanin Paqësor e kanë shndërruar Ekuadorin në një pikë strategjike të trafikut të drogës. Vendi, që dikur konsiderohej një destinacion i qetë turistik, sot renditet mes vendeve me nivelin më të lartë të vrasjeve në botë. Sipas Ministrisë së Brendshme të Ekuadorit, gjatë vitit të kaluar u regjistruan më shumë se 9.200 vrasje.
Presidenti Daniel Noboa ka nisur një ofensivë të fortë kundër krimit të organizuar, por kritikët argumentojnë se arrestimi i drejtuesve të bandave ka sjellë copëtimin e tyre në grupe më të vogla dhe më të shumta.
Në një tjetër operacion, policia arrestoi tre persona të dyshuar për shpërndarje droge. Brenda një vazoje me lule u gjetën doza të drogës “H”, një përzierje shumë e rrezikshme që përmban heroinë dhe shitet për vetëm 1 dollar për dozë. Megjithatë, vetëm njëri prej të arrestuarve u akuzua zyrtarisht, ndërsa dy të tjerët u liruan.
Koloneli Santiago Gavilanes, zëvendëskomandant i Policisë së Duranit, fajësoi sistemin e drejtësisë për lirimin e vazhdueshëm të personave të arrestuar.
“Ne i arrestojmë, ndërsa ata lirohen. Më pas i gjejmë sërish në operacione të tjera. Disa prej tyre vazhdojnë të vrasin njerëz dhe lënë pas familje të shkatërruara”, deklaroi ai.
Sipas Gavilanes, bandat kriminale kanë mjaftueshëm para për të korruptuar gjyqtarë, prokurorë dhe politikanë. Një tjetër oficer policie, identiteti i të cilit nuk bëhet publik për arsye sigurie, tregoi se kishte refuzuar oferta ryshfeti me vlerë të mjaftueshme për të dalë në pension. Ai beson se persona brenda policisë kishin informuar grupet kriminale për pozicionin dhe detyrën e tij.
Gjatë një takimi me një grup kriminal në periferi të Duranit, lideri i bandës, i identifikuar si “Jonathan”, pranoi se kishte katër efektivë policie në listën e pagesave.
“Sapo policia planifikon një operacion, ata më telefonojnë. Më thonë të fsheh armët dhe drogën ose të largohem. Kur mbërrijnë, nuk gjejnë asgjë”, deklaroi ai.
Sipas tij, rrjeti i informatorëve i kushton bandës nga 1.500 deri në 2.000 dollarë në muaj. Jonathan pranoi gjithashtu se është trafikant droge dhe vrasës. I pyetur se sa persona kishte vrarë, ai u përgjigj: “Rreth tetë. Nuk i mbaj mend saktësisht.”
Ai tha se banda e tij lufton vetëm kundër grupeve rivale, por pranoi se organizata përdor edhe adoleshentë të armatosur. Organizatat për të drejtat e njeriut raportojnë se fëmijë vetëm 12 vjeç rekrutohen nga bandat kriminale, ndërsa shumë prej tyre, në moshën 15 vjeç, përfundojnë si vrasës me pagesë.