Alarm nga Eurostat: Shqipëria e katërta në Europë për vdekjet nga ndotja e ajrit

Shqipëria renditet e katërta në Europë për numrin e vdekjeve të parakohshme që lidhen me ndotjen e ajrit, pavarësisht se nuk ka një industri të zhvilluar në përmasat e vendeve të mëdha europiane. Të dhënat më të fundit të Eurostat për vitin 2023 tregojnë se në vend regjistrohen 129 vdekje të parakohshme për çdo 100 mijë banorë si pasojë e ekspozimit ndaj grimcave të imëta PM2.5.
Vetëm Maqedonia e Veriut, me 146 vdekje për 100 mijë banorë, Bosnjë dhe Hercegovina me 139 dhe Serbia me 132 paraqesin nivele më të larta se Shqipëria. Ndërkohë, mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 41 vdekje për 100 mijë banorë, çka do të thotë se treguesi i Shqipërisë është mbi tre herë më i lartë.
Treguesi i Eurostat mat numrin e vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ekspozimit ndaj grimcave PM2.5, të cilat kanë diametër më të vogël se 2.5 mikrometra. Për shkak të madhësisë së tyre, këto grimca depërtojnë thellë në mushkëri, duke rritur rrezikun për inflamacion dhe duke përkeqësuar sëmundjet e zemrës dhe të sistemit respirator.
Sipas metodologjisë së Agjencisë Europiane të Mjedisit, vdekje të parakohshme konsiderohen ato që ndodhin përpara jetëgjatësisë së pritshme, duke marrë në konsideratë moshën, gjininë dhe jetëgjatësinë në secilin vend.
Grimcat PM2.5 krijohen kryesisht nga djegia e lëndëve të ngurta për ngrohjen e banesave, aktivitetet industriale dhe transporti. Megjithatë, niveli i ekspozimit ndikohet edhe nga cilësia e karburanteve, mosha e automjeteve, djegia e mbetjeve, mënyra e ngrohjes së banesave, si edhe nga kushtet gjeografike që favorizojnë grumbullimin e ndotjes në ajër.