Skip to content
Kryesore

“Do të na dhembë për një kohë të gjatë”, letra prekëse e Kylian Mbappé pas humbjes në Botëror

· 2 min lexim

Kapiteni i kombëtares franceze, Kylian Mbappé, u ka drejtuar një letër të hapur tifozëve pas përfundimit të Kupës së Botës, duke reflektuar mbi zhgënjimin e humbjes dhe duke falënderuar të gjithë ata që mbështetën Francën gjatë turneut.

Letra, e titulluar “Faleminderit”, u publikua këtë të hënë nga disa media franceze. Në të, Mbappé pranon se humbja në Botëror është një plagë që nuk do të kalojë shpejt.

“Do të na dhembë dhe do të na dhembë për një kohë të gjatë. Ndoshta ju detyroheshim një fund më të mirë, por jo gjithmonë e zgjedhim dot se si përfundon një histori. Ajo çfarë mund të zgjedhim, është ajo që japim nga vetja. Dhe ne dhamë gjithçka. Kjo është arsyeja pse jemi krenarë”, shkruan sulmuesi francez.

Mbappé ndalet edhe te çmimi individual i fituar në turne, duke theksuar se do ta kishte shkëmbyer me suksesin e ekipit.

“E pranoj me krenari titullin e golashënuesit më të mirë, por do të ishte shumë më e bukur nëse do të shoqërohej me trofeun”, shprehet ai.

Në letrën e tij, kapiteni i “Gjelave” falënderon bashkëlojtarët, trajnerin Didier Deschamps dhe të gjithë stafin teknik për rrugëtimin në Kupën e Botës.

“Kjo Kupë Bote ka mbaruar, por historia vazhdon. Do të ketë ndeshje të tjera, net të tjera vere apo dimri ku do të gjendemi sërish të gjithë bashkë përpara të njëjtës lojë, me të njëjtën dëshirë të pashuar. Nuk kemi mbaruar ende së luajturi bashkë. Faleminderit për gjithçka”, përfundon Kylian Mbappé në letrën e tij.