Skip to content
Kryesore

Pas dy helmimeve masive, Akademia e Sigurisë heq dorë nga kateringu i “SORI-AL” të Alma Tafanit dhe Nikolin Jakës

· 3 min lexim

Akademia e Sigurisë ka hequr dorë nga shërbimi i kateringut të kompanisë “SORI-AL”, në pronësi të Alma Tafanit, bashkëshortes së Nikolin Jakës, pas dy episodeve të helmimeve masive që prekën kursantët brenda një muaji. Vendimi shënon fundin e kontratës së furnizimit me ushqim nga kompania, ndërsa vaktet tashmë përgatiten në mensën e vetë institucionit.

Burime bëjnë me dije se ndryshimi ka hyrë në fuqi më 27 qershor, me synimin për të shmangur përsëritjen e incidenteve që tronditën Akademinë e Sigurisë. Krahas rikthimit të gatimit në ambientet e mensës, është bërë edhe riorganizimi i saj, është shtuar personeli i kuzhinës dhe është zgjeruar menuja që u ofrohet kursantëve.

Sipas të njëjtave burime, studentët që frekuentojnë Akademinë shprehen se ushqimi është më i freskët dhe vaktet janë më të larmishme krahasuar me periudhën kur shërbimi ofrohej nga kompania e kateringut.

Vendimi vjen pas një prej skandaleve më të rënda të muajve të fundit, ku në dy episode të ndara plot 116 kursantë përfunduan në spital me simptoma si të vjella, diarre, temperaturë dhe dhimbje koke. Rasti i parë u regjistrua në muajin maj, ndërsa vetëm pak javë më vonë ndodhi edhe helmimi i dytë, ku mbi 60 kursantë të tjerë kërkuan ndihmë mjekësore në QSUT.

Pas episodit të parë, analizat laboratorike identifikuan një kampion ushqimor jokonform. Në makaronat e gatshme u konstatua prani mbi normat e lejuara e bakterit Escherichia coli dhe stafilokokut koagulazë pozitiv. Pas këtij konstatimi, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pezulloi përkohësisht aktivitetin e “SORI-AL”, por më pas, me një vendim të dytë, kompania u lejua të rifillonte aktivitetin.

Megjithatë, vetëm pak javë më vonë u regjistrua edhe helmimi i dytë masiv, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi sigurinë e ushqimit të furnizuar në Akademinë e Sigurisë. Edhe në këtë rast, AKU mori 14 mostra ushqimore për analiza laboratorike, ndërsa Policia dhe Prokuroria e Tiranës nisën hetimet për të përcaktuar shkakun e ngjarjes.

Gjatë ditëve që pasuan incidentin e dytë, “SORI-AL” doli me disa reagime publike duke mohuar përgjegjësinë. Fillimisht kompania deklaroi se shkaku mund të ishte konsumimi i ushqimeve të futura nga jashtë Akademisë, më pas përmendi mungesën e larjes së duarve nga studentët dhe konsumimin e ushqimit menjëherë pas stërvitjes. Në një reagim tjetër, kompania deklaroi se në Akademinë e Sigurisë kishte edhe viroza sezonale, duke lënë të kuptohej se simptomat mund të mos kishin lidhje me ushqimin e shërbyer prej saj.

Ndërkohë, hetimet vijojnë jo vetëm ndaj kompanisë së kateringut, por edhe ndaj Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, ndërsa dosja e episodit të dytë pritet të bashkohet me hetimin për helmimin e parë.

Vendimi i Akademisë së Sigurisë për t’i dhënë fund furnizimit me ushqim nga “SORI-AL” dhe për ta rikthyer gatimin brenda institucionit vjen si masa më konkrete e marrë deri tani pas dy episodeve që tronditën institucionin dhe ngritën shqetësime serioze për sigurinë ushqimore të kursantëve.