Zjarret rikthehen, premtimet qeveritare mbeten pa mbajtur: Shqipëria hyn në një tjetër verë pa avionë, pa mjete dhe pa zgjidhje

Mjaftuan ditët e para të valës së të nxehtit që Shqipëria të përballet sërish me të njëjtin makth. Kodrat mbi Llaman në Himarë u përfshinë nga flakët, tymi mbuloi zonën turistike dhe zjarrfikësit zbritën edhe një herë në terren për të luftuar me mjetet e pakta që kanë në dispozicion. Pamje që nuk janë më lajm i ri, por një histori që përsëritet çdo verë.
Ajo që shqetëson është se ky nuk është një rast i izoluar. Gjatë ditëve të fundit janë raportuar disa vatra zjarri në zona të ndryshme të vendit, ndërsa vala e të nxehtit ka rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së tyre. Temperaturat ekstreme, era dhe thatësira krijojnë kushtet ideale që një vatër e vogël të dalë shumë shpejt jashtë kontrollit.
Nëse kjo situatë vazhdon, Shqipëria mund të përballet me një tjetër sezon shumë të vështirë zjarresh, me pasoja jo vetëm për pyjet dhe biodiversitetin, por edhe për turizmin, banesat dhe ekonominë lokale.
Edhe këtë vit nisëm aty ku e lamë vitin e kaluar. Me temperatura ekstreme, me zjarre që përhapen me shpejtësi dhe me një shtet që vazhdon të reagojë vetëm pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit.
Vitin e kaluar, pas katastrofës që dogji mijëra hektarë, shkatërroi banesa dhe detyroi evakuime në disa zona të vendit, u dëgjuan sërish të njëjtat premtime. Kryeministri Edi Rama foli për flotë ajrore, për monitorim me teknologji, për dronë, kamera termike dhe sisteme moderne kontrolli. Edhe më herët kishte deklaruar se Shqipëria do të kishte në dispozicion dy avionë zjarrfikës gjatë sezonit veror.
Sot, një tjetër verë më vonë, pyetja mbetet e njëjtë: ku janë?
Sepse në terren vazhdojnë të shihen të njëjtat pamje. Zjarrfikës që luftojnë në kushte të vështira. Bashki që kërkojnë ndihmë nga njëra tjetra. Mbështetje nga ajri që vjen kryesisht nga partnerët ndërkombëtarë kur situata rëndohet. Ndërkohë, investimet konkrete për të ndërtuar një kapacitet kombëtar vazhdojnë të mungojnë.
Çdo vit dëgjojmë të njëjtën skemë. Në dimër premtohen reforma. Në pranverë flitet për gatishmëri. Në verë vendi digjet. Në fund të sezonit shpërndahen falënderime, dekorata dhe bonuse për zjarrfikësit, ndërsa problemi mbetet i pazgjidhur dhe rikthehet verën pasardhëse.
Shqipëria nuk ka nevojë për një spektakël të ri komunikimi sa herë shpërthen një vatër zjarri. As për shpërndarje fondesh për skena e organizime koncertesh për të huajt që na vizitojnë. Ka nevojë për mjete, logjistikë dhe parandalim dhe investim të mirëfilltë në çfarë kemi më tepër nevojë.
Një paketë bazë për ngritjen e kapaciteteve nuk është e paarritshme.
Dy avionë zjarrfikës të përdorur të tipit AT-802 Fire Boss, një helikopter me qira për sezonin, autobote të specializuara, automjete të ndërhyrjes së shpejtë, pajisje mbrojtëse për ekipet, pompa shpine, radio digjitale, dronë me kamera termike, pika vrojtimi dhe një qendër kombëtare koordinimi do të kushtonin shumë më pak sesa dëmet që shkakton çdo sezon zjarresh.
Një investim fillestar prej rreth 8 deri në 10 milionë euro dhe një kosto operative vjetore prej rreth 4 deri në 5 milionë euro do të krijonin një sistem që mund të godiste vatrat në orët e para, kur ato janë ende të kontrollueshme.
Në vend të kësaj, çdo verë paguhet shumëfish. Digjen pyje, kullota, biznese, banesa dhe zona turistike. Dëmtohet mjedisi, ekonomia dhe imazhi i vendit. Kostoja reale nuk matet vetëm me fondet që duhen për të shuar flakët, por edhe me pasojat që mbeten për vite.
Pamjet nga Himara janë kujtesa e parë se sezoni i zjarreve sapo ka nisur. Sa vera duhet të digjen ende, që premtimet të kthehen më në fund në investime reale?