Bizneset: SPAK po largon klientët që shpenzonin më shumë, “all inclusive” dhe turistët low cost thellojnë krizën

Baret dhe restorantet po përballen me një rënie të fortë të konsumit gjatë sezonit turistik. Sipas Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, në muajin qershor xhiroja ra me 30 deri në 35% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa goditja më e madhe është ndier në zonat bregdetare.
Kreu i shoqatës, Enri Jahja, tha për “Monitor” se pas kësaj rënieje qëndrojnë disa faktorë. Mes tyre janë hetimet e SPAK ndaj grupeve kriminale për pastrim parash, shtimi i hoteleve që ofrojnë paketa “all inclusive” dhe profili i turistit low cost, i cili shpenzon pak në bare e restorante.
Sipas Jahjës, aksionet e SPAK kanë frenuar veçanërisht individët me të ardhura të dyshimta, të cilët më parë njiheshin për konsum të lartë dhe shpenzime pa limit për ushqime dhe pije të shtrenjta.
“Shkaqet kryesore të rënies së konsumit janë disa. Së pari, hetimet që po kryen SPAK ndaj grupeve kriminale për pastrim parash, kanë stepur shumë individë të ekspozohen në bare dhe restorante, pra individë që gjenerojnë para me origjinë të dyshimtë. Kjo po ndihet veçanërisht në zonën e jugut, në bregdet. Disa prej tyre për t’u ekspozuar në bare dhe restorante kërkojnë ambiente ‘prive’ që restorantet apo baret e konsoliduara nuk e ofrojnë. Kjo situatë ka dhënë efekt te konsumi. Ky grup shquhet për konsum të lartë për frymë dhe shpenzime pa limit për pije të shtrenjta.”
Një tjetër faktor që po godet restorantet është shtimi i strukturave akomoduese në jug që ofrojnë paketa me ushqim të përfshirë. Hotelet me “all inclusive”, me dy ose tre vakte në ditë, po bëjnë që turistët të mos drekojnë apo darkojnë jashtë ambienteve ku janë akomoduar.
Efekti më i madh, sipas shoqatës, po ndihet në Ksamil, ku oferta e paketave të tilla është rritur ndjeshëm.
“Së treti në Shqipëri vijon të dominojë turisti low cost, i kujdesshëm në shpenzime për restorante dhe më tepër konsumon brenda ambienteve të apartamentit ku është akomoduar.”
Përjashtim bëri muaji maj, kur konsumi shënoi rritje krahasuar me majin e vitit 2025. Megjithatë, në qershor situata u përkeqësua ndjeshëm, ndërsa pritshmëritë për muajin korrik mbeten të ulëta.
Pavarësisht rënies së konsumit, Jahja tha se këtë sezon nuk ka pasur rritje të çmimeve. Shpenzimi mesatar për një person në restorant varion nga 20 deri në 40 euro.
Rënia e konsumit nuk është një problem i ri për sektorin. Gjatë periudhës janar-shtator 2025, xhiroja në bare dhe restorante u ul me 10 deri në 15% krahasuar me një vit më parë, e ndikuar nga faktorë ekonomikë dhe demografikë.
Aktualisht në Shqipëri numërohen rreth 15.5 mijë bare, nga 22 mijë që ishin në vitin 2015. Edhe pse numri i tyre është ulur ndjeshëm, ky mbetet aktiviteti i dytë më i përhapur në vend pas tregtisë me pakicë.
Një tjetër problem i madh për sektorin është mungesa e fuqisë punëtore dhe informaliteti në paga. Edhe pse shumë biznese kanë punësuar shtetas të huaj, Shoqata e Bareve dhe Restoranteve vlerëson se mungojnë ende nga 10 mijë deri në 20 mijë punonjës.