Skip to content
Kryesore

Gjykata shpall të pafajshëm Trifon Muratajn: Kokaina “u harrua” në banane nga trafikantët në Itali, por dosjet e “Bana King” nuk mbarojnë këtu

· 8 min lexim

Gjykata e Durrësit ka shpallur të pafajshëm biznesmenin Trifon Murataj dhe drejtuesit e kompanisë që importonte banane nën markën “Bana King”, në çështjen e 33.5 kilogramëve kokainë të gjetur në vitin 2022 brenda një kontejneri të kompanisë “Ziko sh.a”.

Vendimi përfundimtar është dhënë nga gjyqtari Rexhep Bekteshi më 23 qershor 2026 dhe tashmë ka marrë formë të prerë, duke përjashtuar mundësinë e apelimit. Nga akuzat janë liruar presidenti i kompanisë, Trifon Murataj, administratori Petrit Demishaj dhe vetë subjekti juridik.

Në tetor të vitit 2022, autoritetet zbuluan 33.5 kilogramë kokainë të fshehur mes një ngarkese me banane që kishte mbërritur në Portin e Durrësit. Ishte hera e dytë që drogë gjendej në kontejnerët e lidhur me kompaninë.

Megjithatë, gjatë hetimit dhe procesit gjyqësor u pranua versioni se kompania nuk kishte qenë pjesë e kontrabandës, por ishte përdorur nga rrjete kriminale ndërkombëtare për transportimin e kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.

Sipas argumenteve të paraqitura në proces, “Bana King” kishte njoftuar paraprakisht Policinë e Shtetit, Doganën dhe strukturat kufitare në Durrës për dyshimet se grupe kriminale që vepronin në Ekuador mund të fusnin lëndë narkotike në ngarkesat e porositura prej saj.

Trifon Murataj pretendoi në gjykatë se njoftime të tilla përbënin një praktikë sigurie të ndjekur prej tij që nga viti 2013, sa herë merrte informacione për tentativa të mundshme të kontaminimit të kontejnerëve.

Në proces u paraqit gjithashtu versioni se kokaina mund të ishte lënë gabimisht në kontejner nga trafikantët italianë. Ky shpjegim është trajtuar nga gjykata në kuadër të provave dhe pretendimeve të palëve, ndërsa vendimi përfundimtar ka konkluduar se nuk provohej përfshirja penale e Muratajt dhe e drejtuesve të kompanisë.

Pas shpalljes së pafajësisë, gjykata urdhëroi edhe kthimin e garancisë pasurore prej 30 milionë lekësh të vendosur nga Trifon Murataj.

Por vendimi i Gjykatës së Durrësit mbyll vetëm këtë dosje dhe nuk mund të lexohet si një pastrim i të gjithë historikut të Muratajt dhe të kompanisë së tij. Për më shumë se një dekadë, emri i “Ziko sh.a” dhe marka “Bana King” janë shfaqur në një seri episodesh të lidhura me ngarkesa kokaine, kontejnerë të hapur, arka të zhdukura, hetime ndërkombëtare dhe shkelje të tjera ligjore.

Dyshimet e para të dokumentuara lidhen me nëntorin e vitit 2014. Sipas një komunikimi të publikuar pas sulmit kibernetik ndaj institucioneve shqiptare dhe të atribuar zyrës së DEA-s në Greqi, Policia Kombëtare e Ekuadorit kishte sekuestruar rreth 33.55 kilogramë kokainë në një kontejner me banane me destinacion Durrësin. Kompania pritëse e ngarkesës rezultonte “ZICO SHA”.

Në të njëjtin komunikim pretendohej se në vitin 2018 një burim kishte përmendur Trifon Muratajn dhe Arben Qimen si persona të përfshirë në kontrabandimin e kokainës drejt Shqipërisë.

“Shtetasit shqiptarë Qime ARBEN dhe Murataj TRIFON janë të përfshirë në kontrabandimin e kokainës në Shqipëri.

Burimi ka deklaruar se TRIFON përdor një kompani importimi në Durrës/Shqipëri me emrin ZICO SHA për të importuar me shumicë kokainë nga Ekuadori në Shqipëri. Kokaina e importuar më pas ruhet në një magazinë e kontrolluar nga ARBEN. ARBEN më pas bën përzierjen për të krijuar sasi më të mëdha”, thuhej në emailin e publikuar.

Ky informacion nuk përbën një vendim gjykate ndaj Muratajt, por tregon se dyshimet për aktivitetin e kompanisë nuk lindën në vitin 2022 dhe as kufizohen te kontejneri për të cilin ai sapo u shpall i pafajshëm.

Historia u rikthye fuqishëm më 29 dhjetor 2021, kur në një magazinë në Vaqarr u gjetën 119 kilogramë kokainë të fshehur në shtatë arka me banane të ardhura nga Ekuadori. Ngarkesa lidhej me kompaninë “Bana King”, ndërsa për rastin u arrestuan Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihu.

Marson Murataj punonte si menaxher i pritjes së kontejnerëve dhe merrej me transportin dhe shpërndarjen e ngarkesave të kompanisë. Masa e sigurisë ndaj tij u ndryshua më pas nga Apeli, nga “arrest shtëpie” në “arrest me burg”.

Megjithatë, Trifon Murataj nuk u procedua penalisht për trafik droge në këtë dosje dhe vazhdoi aktivitetin i pashqetësuar, pavarësisht se kokaina ishte gjetur në një magazinë të lidhur me kompaninë e tij.

Rasti u bë edhe më i rëndë nga dyshimet se sasia e sekuestruar ishte vetëm një pjesë e ngarkesës. Gazetari investigativ Artan Hoxha deklaroi se përpara kontrollit kishin rezultuar të zhdukura dhjetëra arka të tjera nga kontejneri.

“Në 29 dhjetor 2021 në magazinën e ‘banana king’ në Vaqarr, u kapën 7 arka, herë 17 kg kokainë secila, plot 119 kg kokainë me pastërti kristali nga Ekuadori.

Por në port kishin humbur edhe 106 arka të tjera, herë 17 kg kokainë secila, plot 1802 kg kokainë që avulluan si me magji.

Në total ngarkesa e dhjetorit ishte 1802 + 119 = 1921 kg kokainë”, shkruante Hoxha.

Këto përllogaritje ishin pretendime të gazetarit dhe nuk u konfirmuan zyrtarisht nga autoritetet. Por ngjarja ngriti pikëpyetje serioze për mënyrën se si kontejneri kishte kaluar në Portin e Durrësit dhe për fatin e arkave të zhdukura.

Vetëm pak muaj më vonë, në korrik 2022, një tjetër kontejner me banane u hap në Portin e Durrësit përpara se të kalonte në skaner. Nga ngarkesa rezultuan të zhdukura 49 arka, ndërsa në raportime të tjera u fol për rreth 60 arka.

Për shkeljet procedurale u arrestuan 20 punonjës dhe efektivë të portit. Autoritetet nuk e publikuan menjëherë emrin e kompanisë që priste ngarkesën, por në raportimet mediatike kontejneri u lidh sërish me “Ziko sh.a”.

Edhe në atë rast, vëmendja e hetimit u përqendrua te punonjësit e portit, ndërsa ndaj Muratajt nuk u bë publik ndonjë procedim penal për trafik droge.

Artan Hoxha reagoi me ironi ndaj mënyrës se si autoritetet e paraqitën zhdukjen e arkave:

“Mbani ‘mallin’ na ktheni arkat me banane, se ka shkuar çmimi për lesh…

Te bananet për dreq, nuk ka as bord transparence nga qeveria….

Epo të çosh 20 policë porti në burg për 60 arka me banane, hall i madh është???!!!

Jo për gjë, por vetë këmbëngulni se aty kishte vetëm banane ‘të ëmbla, të freskëta’ Ekuadori.”

Të arrestuarit për shkeljet në port u liruan më pas nga Gjykata e Durrësit, ndërsa përgjegjësia për hapjen e kontejnerit dhe zhdukjen e arkave mbeti pa një shpjegim të plotë publik.

Pikërisht pas këtyre ngjarjeve erdhi edhe zbulimi i 33.5 kilogramëve kokainë në tetor 2022, dosja për të cilën Murataj, administratori i kompanisë dhe subjekti juridik sapo janë shpallur të pafajshëm.

Por problematikat e Muratajt nuk janë kufizuar vetëm te kontejnerët me banane.

Në shkurt të vitit 2025, Policia e Durrësit e shpalli atë në kërkim për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pas një aksidenti të rëndë në ambientet e kompanisë.

Një punonjës 48-vjeçar humbi shikimin në njërin sy pasi u godit nga një bisturi teksa hapte paketimet e bananeve. Sipas të dhënave të publikuara në atë kohë, ngjarja ishte mbajtur e fshehtë për disa ditë dhe policia ishte njoftuar vetëm pasi punonjësi u paraqit në spitalin shtetëror të Durrësit.

Drejtuesit e kompanisë pretenduan se punonjësi nuk i kishte njoftuar dhe se ishte larguar me një koleg drejt një klinike private. Klinika nuk e kishte pranuar për trajtim, ndërsa më pas ai ishte dërguar në spital.

Nga verifikimet e Inspektoratit të Punës rezultoi gjithashtu se punonjësi nuk ishte regjistruar me dokumentacionin përkatës. Kompania u gjobit, ndërsa Murataj u shpall në kërkim nga policia.

Edhe ky rast ngriti pikëpyetje për funksionimin e kompanisë, respektimin e kushteve të sigurisë dhe tentativën e pretenduar për të mos raportuar menjëherë një aksident të rëndë në punë.

Në qershor 2025, një investigim i medias ekuadoriane Infobae, në bashkëpunim me organizatën amerikane C4ADS, analizoi rrjetin e kompanive shqiptare të përfshira në importin e bananeve nga Ekuadori dhe në raste sekuestrimesh kokaine.

Investigimi vendoste në qendër edhe “Ziko sh.a” dhe markën “Bana King”, duke risjellë informacionet që i atribuoheshin DEA-s dhe dyshimet që shoqëronin kompaninë që prej vitit 2014.

Sipas raportit, një pjesë e kompanive të përfshira në ngarkesa ku ishte zbuluar kokainë ndryshonin administratorët pas hetimeve apo arrestimeve, por vijonin aktivitetin përmes të njëjtave struktura tregtare dhe logjistike.

Raporti pretendonte se, pas hetimeve të vitit 2022, Murataj ishte larguar përkohësisht nga regjistrat zyrtarë të kompanisë, por emri i tij ishte shfaqur sërish në dokumentet e biznesit në gusht 2023. Kompania, ndërkohë, kishte vijuar importet nga Ekuadori dhe kishte zgjeruar aktivitetin.

As ky investigim nuk përbën një vendim penal ndaj Muratajt. Por ai plotëson një tablo që nuk mund të reduktohet në përfundimin e vetëm një procesi gjyqësor.

Gjykata e Durrësit ka vendosur se nuk provohet përfshirja e Trifon Muratajt, Petrit Demishajt dhe “Ziko sh.a” në trafikun e 33.5 kilogramëve të kokainës së gjetur në tetor 2022.

Por vendimi nuk jep përgjigje për ngarkesën e vitit 2014, për 119 kilogramët e gjetur në Vaqarr, për dhjetëra arkat e zhdukura në port, për informacionet e atribuara DEA-s, për konstatimet e investigimeve ndërkombëtare dhe as për procedimin e vitit 2025 pas aksidentit ku një punonjës humbi shikimin.

Murataj është shpallur i pafajshëm për një dosje konkrete. Kjo, megjithatë, nuk e shndërron automatikisht në viktimë të pafajshme të të gjithë historisë që ka shoqëruar kompaninë e tij.

Përkundrazi, mbetet ende pa përgjigje pyetja kryesore: si ka mundur që kokaina të shfaqet vazhdimisht në kontejnerë dhe magazina të lidhura me të njëjtën kompani, ndërsa pronari i saj ka vijuar aktivitetin pa u përballur me një hetim të plotë për të gjithë zinxhirin tregtar, financiar dhe logjistik?