A u dogj Llamani për t’i hapur rrugë resortit? Hoxha: Milionat shkuan për koncertin, zjarrfikësit mbetën pa mjete

Zjarri i madh që përfshiu më 13 korrik kodrën mbi Gjirin e Llamanit ka ngritur pikëpyetje të forta, pasi pikërisht në zonën e djegur parashikohet ndërtimi i një resorti luksoz me hotel, vila dhe apartamente. Ndërkohë, në kulmin e sezonit të zjarreve, gazetari Artan Hoxha akuzon qeverinë se 4.2 milionë eurot e dhëna për koncertin e Kanye West mund të përdoreshin për blerjen e mjeteve zjarrfikëse, ndërsa efektivëve u janë shpërndarë bileta falas për koncertin.
Flakët përfshinë pasditen e 13 korrikut anën veriore të kodrës së Llamanit, një zonë bregdetare, kodrinore dhe shkëmbore, e mbuluar kryesisht me shkurre dhe pemë të vogla. Zjarrfikësit e Himarës dhe të qyteteve fqinje ndërhynë për të kontrolluar situatën, ndërsa terreni i vështirë, temperaturat e larta dhe era e fortë e komplikuan operacionin.
Në pjesën e poshtme të kodrës ndodhen biznese që operojnë në Gjirin e Llamanit, ndërsa në drejtim të rrugës dhe qytetit ka hotele dhe banesa private. Megjithatë, përtej rrezikut të menjëhershëm nga flakët, janë ngritur dyshime mbi shkakun e zjarrit.
Sipas dokumenteve të publikuara nga Vox News, në kodrën ku u regjistrua zjarri do të ndërtohet resorti luksoz “Amantes”, një projekt i miratuar me leje zhvillimi nga qeveria në vitin 2025, mbi një sipërfaqe prej 101.200 metrash katrorë.
Subjektet ndërtuese të projektit janë shoqëritë “Capital B” dhe “Bega 07”, kjo e fundit në pronësi të biznesmenit Arben Muçobega. Projekti parashikon ndërtimin e një hoteli me pesë yje, vilave, apartamenteve, restoranteve, hapësirave të mirëqenies dhe zonave të tjera komerciale.
“Projekti i resortit me 5 yje ‘Amantes’ do të zhvillohet në zonën e plazhit të Llamanit, në kufi me plazhin e Himarës, në Bashkinë Himarë, e cila ndodhet në pjesën jugperëndimore të Shqipërisë”, thuhet në lejen e zhvillimit.
Në dokumente zona përshkruhet si një pronë bosh dhe e pashfrytëzuar, me topografi të pjerrët që shtrihet nga maja e kodrës drejt detit. Masterplani parashikon 50 vila të shpërndara në terren, të organizuara në grupime me nga dy ose tre vila.
“Masterplani parashikon 50 vila të shpërndara në terren në grupime 2 apo 3 vilash. Të gjitha këto grupime përfshijnë 1 vilë të madhe, apo 2 vila të mëdha në rastin e grupimeve 3-she, dhe 1 vilë të vogël”, thuhet në dokument.
Publikimi i këtyre të dhënave ka ngritur dyshimin nëse flakët mund t’i kenë hapur rrugë kantierit të resortit. Deri tani nuk ka një përfundim zyrtar që vërteton se zjarri ka qenë i qëllimshëm, por institucionet pritet të sqarojnë shkakun e tij dhe të hartojnë raportin përkatës.
Ngjarja ndodh në një kohë kur Shqipëria përballet me rrezik të lartë nga zjarret dhe mungesë mjetesh të specializuara. Pikërisht për këtë situatë ka reaguar gazetari Artan Hoxha, i cili deklaroi në emisionin “Të Paekspozuarit” se fondi prej 4.2 milionë eurosh i dhënë për koncertin e Kanye West mund të përdorej për forcimin e shërbimit zjarrfikës.
“Ky koncerti, na dhanë këto shifrat, 100 milionë euro që ne do të përfitonim. E po ky koncert do të mbahet në Madrid dhe llogaritet të sjellë 45 milionë, dhe qeveria spanjolle nuk ka ndërhyrë me fonde. Para se të zhvillohej koncerti, kam pyetur sa zjarrfikëse të reja blihen me 4 milionë. Një drejtues i zjarrfikësve tha se me aq lekë mund të blihen aq mjete sa nuk do të jetë i nevojshëm një avion Canadair. Sot helikopterët tanë Cougar kanë shkuar për të fikur zjarrin, që ata helikopterë nuk janë për atë punë.
Tani ku na vlejnë ato para më shumë, te fikja e zjarrit apo te koncerti? Zjarrfikësve u kanë çuar bileta falas në vend të mjeteve zjarrfikëse. Vijmë te pjesa se si arriti qeveria që impakti do të jetë 100 milionë euro. Nuk i ka llogaritur askush. Prokuroria duhet të nisë hetimet pa kallëzim fare. Në pikun e zjarreve, kur ne jemi në rrezik të lartë. Nuk kam parë në asnjë vend të botës të përfshihet qeveria në një koncert privat. Qeveria merret vetëm me rendin dhe sigurinë. Koncertet i organizojnë kompani private, nuk i ftojnë qeveritë”, tha Hoxha.
Zjarri në Llaman, projekti i resortit në zonën e djegur dhe mungesa e mjeteve për përballimin e flakëve vendosin përballë njëra-tjetrës prioritetet e qeverisë, e cila shpenzoi miliona euro për një koncert privat, ndërsa zjarrfikësit vijojnë të përballen me emergjencat me kapacitete të kufizuara.