Skip to content
Kryesore

Kinemaja shqiptare në zi! Ndahet nga jeta në moshën 78 vjeçare aktori i njohur Todi Llupi

· 1 min lexim

Kinemaja dhe skena shqiptare kanë humbur një nga emrat më të dashur të humorit. Aktori i njohur Todi Llupi është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar artistike që shtrihet në më shumë se pesë dekada.

Todi Llupi ishte një prej figurave më të spikatura të Estradës së Fierit, ku u bë pjesë në vitin 1971. Me talentin, humorin dhe interpretimin karakteristik të dialektit myzeqar, ai fitoi zemrat e publikut dhe u kthye në një ikonë të humorit shqiptar.

Gjatë karrierës së tij interpretoi dhjetëra role në estradë, por edhe në kinematografinë shqiptare. Publiku do ta kujtojë veçanërisht për skeçin legjendar “Dasma e Malos” të Estradës së Fierit, si edhe për rolin e tij në filmin “Pesha e kohës”.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në art dhe kulturë, në vitin 1989 Todi Llupi u vlerësua me titullin “Artist i Merituar”.

Me ndarjen e tij nga jeta, arti shqiptar humbet një aktor që për dekada solli buzëqeshje dhe la gjurmë të pashlyeshme në historinë e humorit dhe teatrit shqiptar.