Skip to content
Kryesore

Ndryshojnë masat për vajzat që dhunuan 17-vjeçaren në Fier, në burg 19-vjeçarja! Dyshohen edhe për skemë shantazhi ndaj burrave

· 2 min lexim

Gjykata e Fierit ka ndryshuar masat e sigurisë për tre vajzat e përfshira në dhunimin e 17-vjeçares.

Për 19-vjeçaren është vendosur masa e sigurisë “arrest në burg” deri në përfundim të hetimeve, ndërsa 15-vjeçarja tjetër është lënë në “arrest shtëpie”.

E mitura e tretë është lënë në masën e mjekimit të detyruar, pasi rezultoi me probleme të shëndetit mendor pas një tjetër rasti dhune, këtë herë ndaj nënës së saj.

Ndërkohë, hetimet nuk janë kufizuar vetëm te dhunimi i 17-vjeçares. Top Channel raporton se tre vajzat po hetohen edhe për vepra të tjera penale.

Sipas të dhënave të mbledhura nga Policia e Fierit, ato dyshohet se kishin ngritur një skemë shantazhi ndaj burrave. Fillimisht i joshnin dhe u linin takime në hotel. Më pas, kur personi mbërrinte në dhomë, një person tjetër e fotografonte dhe imazhet përdoreshin për shantazh.

Në këtë skemë dyshohet se është përfshirë edhe një punonjës policie, baba i dy fëmijëve, i cili ishte kontaktuar nga 15-vjeçarja.

Sipas të dhënave, ajo kishte tentuar t’i linte takim në hotel, por efektivi e kishte takuar vetëm në një lokal. Megjithatë, bisedat mes tyre dyshohet se janë përdorur për ta shantazhuar, me kërkesën që çështja penale ndaj vajzave për rrahjen e 17-vjeçares të mbyllej. Në të kundërt, bisedat do të publikoheshin online.

Efektivi është përjashtuar nga Policia e Shtetit, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po kryen verifikimet e nevojshme.