Skip to content
Kryesore

Vrasja në Shkodër, zbardhen detaje të reja: U grindën për celularin, Shtjefën Ziçi dyshohet se e vrau gruan nga xhelozia, kamerat filmuan çastet para krimit

· 2 min lexim

Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për vrasjen e 55-vjeçares Bardhe Ziçi në Shkodër, e cila u qëllua për vdekje me armë gjahu nga bashkëshorti i saj, Shtjefën Ziçi. Hetuesit kanë përqendruar dyshimet te xhelozia si motivi kryesor i krimit, ndërsa kamerat e sigurisë kanë fiksuar momentet që i paraprinë ngjarjes.

Sipas burimeve pranë grupit hetimor, gjithçka nisi pas një debati mes bashkëshortëve për telefonin celular të viktimës. Pas konfliktit, 64-vjeçari u fut në banesë, mori çiften që e posedonte me leje dhe dyshohet se qëlloi dy herë në drejtim të gruas, duke i shkaktuar vdekjen në vend.

Autori i dyshuar nuk është marrë ende plotësisht në pyetje për shkak të gjendjes së tij psikologjike.

Nga ana tjetër, mbrojtja e tij vijon të pretendojë se ngjarja ishte aksidentale. Avokatët deklarojnë se 64-vjeçari kishte marrë armën për ta pastruar dhe nuk e dinte se ajo ishte e mbushur me fishekë, duke shtuar se arma ishte ngarkuar disa ditë më parë nga bashkëshortja pa dijeninë e tij.

Megjithatë, hetuesit nuk e mbështesin këtë version. Sipas provave të administruara deri tani, përfshirë pamjet filmike dhe dëshmitë e mbledhura, policia vijon të hetojë xhelozinë si motivin kryesor të vrasjes.

Burime nga hetimi bëjnë me dije se menjëherë pas arrestimit, Shtjefën Ziçi është shprehur se nuk ishte penduar për atë që kishte ndodhur. Megjithatë, këto deklarime nuk konsiderohen dëshmi zyrtare, pasi nuk janë dhënë gjatë marrjes në pyetje.

Krimi ndodhi mesditën e 9 korrikut, në unazën lindore të Shkodrës. Pas debatit në dyqanin ushqimor që administronin pranë banesës, 64-vjeçari mori armën e gjahut dhe qëlloi ndaj bashkëshortes në prag të shtëpisë. Sipas hetimeve, 55-vjeçarja tentoi të largohej për t’i shpëtuar sulmit, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Çifti ishin prindër të dy fëmijëve. Djali jeton në Kanada, ndërsa vajza shërben si oficere në repartin ushtarak të Vau Dejës. Të afërm dhe banorë të zonës i kanë përshkruar si njerëz të qetë, pa konflikte të njohura më parë, ndërsa ngjarja ka tronditur opinionin publik. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit vijojnë.