Dhunimi i 17-vjeçares në Fier, pezullohet një efektiv policie për lidhje të papërshtatshme me një nga vajzat e përfshira

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar për rastin e rëndë të dhunimit të një 17-vjeçareje në Fier, ku disa vajza të mitura u filmuan teksa ushtronin dhunë fizike ndaj bashkëmoshatares së tyre.
Në një deklaratë për mediat, Hita bëri me dije se hetimet kanë vijuar në bashkëpunim me Prokurorinë dhe se njëra prej vajzave të përfshira, e cila rezulton me rast të përsëritur, është arrestuar.
“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura ku kryenin veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe më pas gjatë veprimeve hetimore që janë zhvilluar në vazhdimësi bashkë me prokurorinë, kanë vijuar ndjekjet penale. Një prej vajzave, ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar”, u shpreh Hita.
Kreu i Policisë konfirmoi gjithashtu se është pezulluar nga detyra një punonjës policie, pasi, sipas tij, ka krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me një nga vajzat e përfshira në ngjarje, duke cenuar rëndë figurën e Policisë së Shtetit.
“Oficeri i policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardit dhe cenimit të rëndë të figurës që kanë bërë punonjësit e policisë në krye të detyrës, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer veprime të kundërligjshme me një të mitur tjetër”, deklaroi Hita.