Oligarkët po korrin atë që mbollën

Për vite me radhë, një kastë njerëzish u soll sikur Shqipëria ishte pronë private.
Morën toka, leje, tendera, plazhe, favore, heshtje mediatike dhe mbrojtje politike. Morën statusin “strategjik” në një vend ku qytetari i zakonshëm nuk merr dot as drejtësi normale.
Tani habiten pse njerëzit janë të zemëruar.
Habiten pse bizneset e tyre përmenden me emër. Pse hotelet, restorantet, kompanitë dhe projektet e tyre nuk shihen më si histori suksesi, por si pjesë e një sistemi të kalbur.
Por kjo nuk është padrejtësi ndaj tyre.
Është korrje.
Nuk mund të pasurohesh mbi prona publike, mbi tendera, mbi lidhje politike dhe pastaj të kërkosh të trajtohesh si sipërmarrës neutral.
Nuk mund të jesh me pushtetin kur ndahen përfitimet dhe “privat” kur vjen zemërimi.
Në një vend normal, biznesi respektohet kur krijon vlerë, punëson ndershëm dhe konkurron ndershëm. Jo kur merr detin, tokën, tenderin dhe ligjin me një telefon nga lart.
Qytetarët nuk po sulmojnë suksesin. Po sulmojnë arrogancën. Nuk po urrejnë pasurinë. Po urrejnë pasurinë që është ndërtuar mbi shpinën e tyre.
Reviews, bojkotet, komentet dhe postimet janë vetëm sinjali i parë.
Sinjali se njerëzit kanë kuptuar që pushteti nuk mbahet vetëm me vota. Mbahet edhe me para, klientelë, biznese, media dhe njerëz që duken privatë, por jetojnë nga publiku.
Kur qytetari nuk arrin dot te drejtësia, nis nga vendi ku ka ende fuqi: xhepi i vet.
Kjo nuk është turmë.
Është faturë.
Faturë për vite arrogance, për vite përbuzjeje, për vite ku qytetari u trajtua si pengesë, ndërsa oborri u majm.
Dhe sapo qytetari kupton lidhjen mes lekut të tij, biznesit tuaj dhe pushtetit që e shtyp, diçka thyhet përgjithmonë.
Nga ai moment, nuk ju shpëton më as reklama, as moderatori, as festa, as koncerti, as fotografia me pushtetin.
Populli mund të jetë vonuar, por nuk ka harruar!