Përvetësoi fondet publike, Marine Le Pen shpallet fajtore në apel, i ndalohet kandidimi në zgjedhjet presidenciale të Francës në 2027

Marine Le Pen është shpallur fajtore nga Gjykata e Apelit në Paris, e cila ka lënë në fuqi dënimin për përvetësimin e fondeve publike. Vendimi rrezikon seriozisht mundësinë e saj për të garuar në zgjedhjet presidenciale franceze të vitit 2027.
Gjykata vendosi ndaj Le Pen një ndalim 15 mujor nga ushtrimi i funksioneve publike, ku përfshihet edhe një vit me mbajtjen e një pajisjeje elektronike monitorimi.
Çështja lidhet me akuzat se fondet e Parlamenti Evropian janë përdorur për të paguar punonjës të partisë së saj në Francë, në vend që ata të kryenin detyrat si asistentë parlamentarë.
Në gjyqin e shkallës së parë, Le Pen dhe 24 persona të tjerë, mes tyre ish eurodeputetë, asistentë dhe kontabilistë, u shpallën fajtorë për një skemë që, sipas gjykatës, ka funksionuar gjatë periudhës 2004 deri në 2016. Vendimi fillestar parashikonte një ndalim pesëvjeçar nga funksionet publike dhe një dënim me katër vite burg, dy prej të cilave të pezulluara.
Gjatë procesit të apelimit, Le Pen mohoi se Partia Nacionale kishte ngritur një sistem për përvetësimin e fondeve europiane, duke deklaruar se partia kishte vepruar në “mirëbesim të plotë”. Ajo e cilësoi çështjen si një “gjueti shtrigash”, ndërsa disa mbështetës të saj kanë dërguar kërcënime ndaj gjyqtarëve.
Prokurorët argumentuan se, pasi mori drejtimin e partisë nga babai i saj, Jean-Marie Le Pen, në vitin 2011, Marine Le Pen e kishte kthyer këtë praktikë në një sistem të organizuar.
Vendimi i Apelit vjen në një moment kyç për politikën franceze, pasi Marine Le Pen konsiderohej një nga pretendentet kryesore për presidencën në vitin 2027. Nëse ajo nuk do të mund të kandidojë, alternativa kryesore e partisë mbetet Jordan Bardella.