E ftuan për “sqarim”, e rrahën dhe e filmuan, një muaj heshtje për 17-vjeçaren në Fier. Nëna: “Po më shkatërrohet jeta e vajzës”

Një ngjarje e rëndë që ka tronditur opinionin publik është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale, ku shfaqet dhunimi brutal i një 17-vjeçareje nga tre bashkëmoshatare në Fier. Edhe pse episodi ka ndodhur që më 8 qershor dhe është denoncuar menjëherë në polici, rasti mori jehonë vetëm pasi pamjet u bënë publike.
Sipas të dhënave, 17-vjeçarja ishte ftuar nga shoqet e saj në një banesë me pretendimin se do të sqaronin një debat mes tyre. Takimi përfundoi në një akt të rëndë dhune, ku vajza u godit me shuplaka dhe grushte, ndërsa njëra prej të pranishmeve filmonte gjithçka dhe dëgjohej duke nxitur agresionin.
Prindërit e të miturës e kallëzuan ngjarjen në Policinë e Fierit një ditë pas dhunës. Megjithatë, sipas familjarëve dhe fqinjëve, nuk u morën masa që rasti të merrte vëmendjen e duhur, ndërsa videoja vazhdoi të qarkullonte derisa u publikua gjerësisht në rrjetet sociale.
Sipas të afërmve, 17-vjeçarja me inicialet P.D. kishte lënë shkollën për të ndjekur një kurs parukerie, me synimin për të krijuar një profesion dhe për të ndërtuar të ardhmen e saj.
Nëna e vajzës, në një prononcim për Top Channel, rrëfeu mes lotësh gjendjen e rëndë psikologjike të së bijës dhe frikën që po përjeton e gjithë familja.
“Po më shkatërrohet jeta e vajzës”, shprehet ajo, duke kërkuar ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse. Ajo shton se jeton me frikë edhe për sigurinë e fëmijëve të tjerë të mitur të familjes.
Ndërkohë, çështja ndodhet në shqyrtim nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, e cila po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Pas reagimeve të forta publike, Drejtoria Vendore e Policisë Fier sqaroi se rasti ishte trajtuar menjëherë pas kallëzimit. Sipas policisë, më 8 qershor 2026, 17-vjeçarja është paraqitur në Komisariatin e Policisë Fier së bashku me nënën e saj dhe ka kallëzuar se ishte dhunuar dhe filmuar në banesën e një 19-vjeçareje nga kjo e fundit dhe dy vajza 15-vjeçare.
Policia bën me dije se menjëherë pas denoncimit janë shoqëruar në komisariat tre vajzat e dyshuara, të cilat kanë pranuar se kishin ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares për motive të dobëta. Më 9 qershor materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të tre vajzave.
Në reagimin zyrtar sqarohet gjithashtu se më 28 qershor është arrestuar njëra prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e 17-vjeçares, por jo për këtë ngjarje. Arrestimi u krye pasi nëna e saj e kallëzoi se ishte dhunuar fizikisht nga e bija. Pas procedurave përkatëse, e mitura u dërgua për trajtim në një institucion të specializuar të shëndetit mendor në Tiranë.
Policia thekson se të gjitha veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë dhe në përputhje me ligjin, ndërsa hetimet për dhunimin e 17-vjeçares vijojnë.