Skip to content
Kryesore

Vendimi i Gjykatës për protestuesit/ 2 në arrest shtëpie, shumica me detyrim paraqitjeje, qeveria kërkon ta mbajë protestën te dhuna

· 2 min lexim

Gjykata Penale e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë për protestuesit e arrestuar gjatë protestës së 2 korrikut para Kuvendit.

Pas seancës, avokati Dorian Matlija bëri me dije se nga 21 personat për të cilët u shqyrtuan masat, 19 ishin protestues. Sipas tij, gjykata vendosi “arrest në shtëpi” për dy prej tyre, ndërsa shumica u lanë me masën “detyrim paraqitjeje”. Për pesë persona nuk u caktua asnjë masë sigurie.

“Nga 21 persona që ishin për t’u dhënë masa e sigurisë, 19 ishin nga protesta. 2 do të vazhdojnë me arrest shtëpie, ndërsa 5 të tjerë pa masa sigurie, ndërsa të gjithë të tjerët me detyrim paraqitjeje. Arrestimi u quajt i ligjshëm”, tha avokati.

Por vendimi i sotëm nuk e mbyll debatin. Përkundrazi, e nxjerr edhe më qartë skemën që qeveria po përpiqet të ndërtojë prej ditësh: ta zhvendosë protestën nga kauza te incidenti, nga qytetarët te rendi publik, nga zemërimi masiv te etiketa e “dhunës”.

Kjo është ajo që pushteti kërkon.

Një protestë paqësore, e madhe dhe e vazhdueshme e vendos qeverinë përballë pyetjeve që nuk do t’i përgjigjet: pse dolën qytetarët në rrugë, pse u mbushën sheshet, pse u bashkua diaspora, pse u dorëzua “The Albanian Files” në SPAK, pse Zvërneci dhe zonat e mbrojtura u kthyen në simbol të revoltës.

Një protestë e etiketuar si e dhunshme i jep qeverisë rrugëdalje.

Prandaj arrestimet, shoqërimet dhe masat e sigurisë nuk duhen parë të shkëputura nga përpjekja politike për ta futur protestën në kornizën e dhunës. Çdo incident i shërben kësaj narrative. Çdo përplasje përdoret për të mbuluar arsyen pse qytetarët dolën në shesh.

Protesta duhet të jetë më e zgjuar se kjo skemë.

Pa dhunë, por jo pa presion.

Paqësore, por jo e dorëzuar.

E vendosur, por jo e manipulueshme.

Sepse qeveria po pret pikërisht atë që i duhet: një pamje, një përplasje, një titull që ta kthejë revoltën qytetare në kronikë rendi.

Dhe qytetarët nuk duhet t’ia japin.