Skip to content
Kryesore

Rama kërkon dy gjëra: një protestë të dhunshme dhe disa “përfaqësues”

· 3 min lexim

Reagimi i Edi Ramës pas përplasjeve para Kuvendit nuk ishte surprizë. Ai e quajti protestën “dhunë”, foli për “duar të huaja” dhe u përpoq ta vendoste gjithë vëmendjen te incidentet.

“Kalimi në dhunë fizike është e vetmja gjë që mund të prodhojë tanimë korja e zezë e dështakëzemërakëve të bulevardit politiko-mediatik të Tiranës, koleksionistëve të precedentëve kriminalë dhe duarve të huaja pas tyre! Duhet akoma durim e pastaj i vjen radha reflektimit”, shkroi Rama në një postim në “X”.

Kjo është pikërisht fusha ku pushteti ndihet më rehat.

Një protestë paqësore, masive dhe qytetare e vendos qeverinë në vështirësi. Një protestë që shoqërohet me tensione i jep mundësinë të ndryshojë temën e debatit.

Dje u panë qytetarë të tërhequr zvarrë, u panë shoqërime edhe të protestuesve që ndodheshin jashtë zonës së përplasjeve dhe u panë ndërhyrje të forta të policisë. Pas kësaj, zemërimi qytetar u rrit dhe në mbrëmje në shesh dolën edhe më shumë njerëz.

Por Rama nuk foli për këtë.

Ai foli për dhunën.

Kjo është arsyeja pse protesta nuk duhet t’i japë pushtetit atë që kërkon. Jo sepse mungon zemërimi. Përkundrazi. Por sepse një protestë paqësore është shumë më e vështirë të diskreditohet.

Protesta nuk ka zgjedhur asnjë drejtues. Nuk ka zgjedhur asnjë delegacion. Nuk ka zgjedhur asnjë grup negociator që do të na “japë zgjidhje” para 4 korrikut.

Prandaj askush nuk ka të drejtë të negociojë në emër të saj.

Kush dëshiron të flasë, le të flasë si qytetar. Kush dëshiron të propozojë, le të propozojë. Por askush nuk mund të marrë peng zërin e mijëra njerëzve vetëm sepse ka një mikrofon apo një faqe në rrjetet sociale.

Pushteti ka gjithmonë nevojë për një adresë. Një emër. Një tavolinë. Dikë me të cilin të thotë se “po dialogon”, ndërsa protesta mbetet aktive jashtë.

Por kjo protestë ka lindur pikërisht sepse qytetarët nuk pranojnë më që dikush të vendosë në emrin e tyre.

Mandati i vetëm është në shesh.

Jo në një listë emrash.

Jo në një grup të mbyllur.

Jo në një marrëveshje të bërë pa qytetarët.

Më 4 korrik, përgjigjja më e fortë është një protestë paqësore, masive dhe pa pronar, siç ka qenë që prej fillimit.

Sepse një protestë pa drejtues nuk mund të blihet. Një protestë pa dhunë nuk manipulohet.

Dhe një protestë që nuk dorëzon mandatin e qytetarëve te disa individë është e pamundur të kontrollohet.