Meloni tërhiqet pas protestave, bllokohet resorti luksoz në zonën e mbrojtur të Sardenjës

Qeveria italiane e drejtuar nga Giorgia Meloni ka anuluar autorizimin special për ndërtimin e resortit luksoz “Tavolara Bay” në Cala Finanza, në komunën Loiri Porto San Paolo të Sardenjës. Vendimi erdhi pas protestave qytetare dhe kundërshtimit të fortë të Rajonit të Sardenjës.
Departamenti për Italinë Jugore pranë Presidencës së Këshillit të Ministrave revokoi Autorizimin e Vetëm Nr. 74 të vitit 2026, që i hapte rrugë projektit turistik dhe hotelier në një zonë me vlerë të lartë mjedisore e peizazhistike.
Rajoni i Sardenjës e kishte kundërshtuar projektin në çdo nivel, nga Konferenca e Shërbimeve te Këshilli i Ministrave dhe gjykata administrative, duke argumentuar se resorti shkelte rregullat rajonale të peizazhit dhe Planin Rajonal të Peizazhit. Vendimtare ishte edhe tërheqja e Bashkisë së Loiri Porto San Paolo, e cila revokoi miratimin e saj për projektin.
Zëvendëspresidenti i Rajonit, Giuseppe Meloni, tha se vendimi tregoi se Sardenja kishte të drejtë në kundërshtimin e saj.
“Kishim të drejtë: Rajoni, me shpinë të drejtë, gjithmonë e mbron Statutin e tij. Nuk ka qenë kurrë një betejë kundër askujt, por përkundrazi për respektimin e rregullave, për autonominë e veçantë të Sardenjës dhe për prerogativat e njohura nga Kushtetuta dhe Statuti ynë”, deklaroi ai.
Këshilltari Rajonal i Turizmit, Franco Cuçureddu, theksoi se Sardenja nuk është kundër investimeve cilësore, por kërkon respektim strikt të rregullave gjeologjike, mjedisore dhe të peizazhit. Ai shtoi se kërkimi i rrugëve të shkurtra përmes Zonave të Veçanta Ekonomike nuk është mënyra e duhur për të bashkëvepruar me Rajonin.
Çështja ka sjellë edhe përplasje politike. Partia Vëllezërit e Italisë, FdI, akuzoi drejtuesit rajonalë dhe Lëvizjen Pesë Yje se po përpiqen të marrin merita politike. Sipas FdI, struktura e ZES ndërhyn vetëm kur projekti ka marrë më parë miratimin e komuniteteve lokale, ndërsa në këtë rast Bashkia e Loiri Porto San Paolo e kishte autorizuar projektin përmes Rezolutës Nr. 50 të muajit nëntor.
Megjithatë, vendimi përfundimtar është marrë në Romë: autorizimi special është revokuar dhe projekti i resortit luksoz në zonën e mbrojtur të Sardenjës është bllokuar.