Skip to content
Kryesore

Protesta para Kuvendit, qytetarët presin me vezë e miell deputetët, shoqërohen 5 prej tyre

· 2 min lexim

Tensione janë shënuar paraditen e sotme para Kuvendit, ku qytetarët e mbledhur në protestë kanë pritur me vezë dhe miell deputetët e Partisë Socialiste, ende pa nisur seanca plenare. Pas përplasjes, policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar pesë protestues.

Një grup qytetarësh ishte mbledhur para Parlamentit, siç ishte paralajmëruar një ditë më parë pas protestës para Kryeministrisë. Godina e Kuvendit ishte rrethuar me barriera metalike dhe forca policie, ndërsa një pjesë e deputetëve socialistë kishin hyrë më herët në sallë.

Tensionet nisën kur disa deputetë të PS u drejtuan drejt hyrjes së Kuvendit. Sipas raportimeve nga vendngjarja, pesë protestues arritën të kalonin kordonin e sigurisë dhe hodhën vezë në drejtim të ligjvënësve socialistë. Menjëherë pas kësaj, policia ndërhyri dhe i shoqëroi ata.

Me vezë dhe miell u qëllua edhe makina e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, ndërsa protestuesit dëgjoheshin duke thirrur “hajdut” dhe “plehrë”. Në shënjestër të revoltës qytetare ishin edhe deputetë të tjerë socialistë, mes tyre Ardit Bido, Ervin Demo dhe Blendi Klosi.

Deputetët e opozitës u pritën me thirrje të forta: “opozitë e shitur”, “nuk na përfaqësoni”, “Rama burg, Berisha burg”.

Një pjesë e protestuesve u vendosën pranë hyrjes së pedonales, e cila gjithashtu ishte bllokuar me barriera metalike për të penguar afrimin e tyre drejt Kuvendit. Aty ndodheshin edhe forca policie, ndërsa qytetarët vijuan të hedhin vezë nga distanca në drejtim të deputetëve.

“Populli do ju mundë, plehra! Largoni policinë se janë populli jonë!”, dëgjoheshin të thoshin protestuesit.

Protesta e sotme vjen pas thirrjes së bërë mbrëmjen e kaluar për zgjerimin e aksionit qytetar edhe para Kuvendit. Qytetarëve iu kërkua të sillnin vezë e miell, në mënyrë simbolike, për të përgatitur “brumin e demokracisë”.

Qytetarët kanë paralajmëruar se aksioni i tyre nuk do të ndalet vetëm para Kryeministrisë, por do të ndjekë edhe institucionet e tjera politike.