Skip to content
Kryesore

“Nuk ka vepër penale për patronazhizmin”, tha kreu i SPAK. Por ligji shqiptar parashikon të paktën 5 nene që mund të hetojnë pikërisht këtë skemë

· 5 min lexim

Kreu i SPAK, Klodian Braho, zgjodhi një përgjigje ngushtësisht teknike kur u pyet në Komisionin e Reformës Zgjedhore për sistemin e patronazhistëve. Përballë pyetjes së deputetes Albana Vokshi nëse SPAK ka bërë ndonjë hetim kryesisht për patronazhimin, përdorimin e të dhënave personale të qytetarëve dhe rolin e mundshëm të AKSHI-t, Braho u përgjigj se në Kodin Penal nuk ekziston një vepër penale me emrin “patronazhim” dhe se kjo nuk është kompetencë e SPAK.

Në aspektin formal, ai ka të drejtë. Në Kodin Penal shqiptar nuk ekziston një nen që mban emrin “patronazhizëm”. Por kjo nuk ishte pyetja që iu drejtua.

“Kemi dorëzuar disa kallëzime të detajuara në 2023-in. Në 2025 kam dorëzuar disa kallëzime në SPAK dhe në Prokurorinë e Tiranës. Në SPAK kam dorëzuar kallëzim për Manastirliun dhe disa të tjerë. Tek libri që kemi botuar dhe jua kemi dërguar, kemi evidentuar mbi 2500 shkelje, krime zgjedhore. Ua kemi dorëzuar me kopje. Deri më sot nuk kemi asnjë fjalë, asnjë reagim nga ju.

Kur doli lista e pastronazhistëve, ku jeni dhe ju të patronazhuar, pra si familjet e tjera shqiptare, a është hetuar AKSHI? A keni hetuar për çështjen e patronazhistëve? Kemi dorëzuar dhe kallëzim për Belinda Ballukun, se si përmes patronazhistëve shantazhon për votën. Kam lexuar sms rrëqethëse, se si merreshin me forcë njerëz të sëmurë mendor, apo dhe në prag të vdekjes, apo me pampers.”- tha Vokshi.

Pra, pyetja ishte nëse SPAK ka bërë hetim për veprimet që përbëjnë skemën e patronazhistëve duke qenë se janë bërë disa kallëzime dhe nëse këto veprime mund të përbëjnë vepra penale sipas legjislacionit shqiptar. Për këtë, përgjigjja nuk mund të mbyllet me lojë emërtimesh, apo të sillesh sikur nuk ka patur një sërë denoncimesh të bëra prej kohësh.

“Në dispozitat e Kodit Penal, nuk ka një vepër penale që të ndëshkojë penalisht patronazhimin, dhe aq më tepër kjo vepër penale të jetë kompetencë e SPAK. SPAK ka dy vepra penale në kompetencë, korrupsion aktiv në zgjedhje dhe korrupsion pasiv në zgjedhje. Nëse një person tjetër ka nxjerrë të dhëna personale të publikut apo edhe tonë, është një vepër tjetër penale që nuk është kompetencë e SPAK, por e prokurorive të juridiksionit të zakonshëm. Cështja nëse në këtë veprimtari mund të jenë përfshirë persona që janë kompetencë e SPAK, duhet parë rast pas rasti. Nuk është as vendi dhe as seanca dhe është detyrim im ligjor që të mos diskutoj për çështje të veçanta.”- u përgjigj Braho.

Mirëpo, nëse të dhënat personale të qytetarëve janë marrë ose janë përdorur në mënyrë të paligjshme nga persona që ushtronin funksione publike, Kodi Penal parashikon nenin 248 “Shpërdorimi i detyrës”, ndërsa përdorimi ose përvetësimi i paligjshëm i sistemeve elektronike mund të ngrejë dyshime edhe për nenin 192/b, që lidhet me hyrjen e paautorizuar në sistemet kompjuterike. Paralelisht zbatohen edhe dispozitat e Ligjit nr. 9887/2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, për përpunimin dhe përdorimin e paligjshëm të të dhënave personale.

Vetë Braho pranoi se korrupsioni aktiv dhe pasiv në zgjedhje janë në kompetencën e SPAK. Pikërisht këtu hyn neni 328 i Kodit Penal “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, i cili ndëshkon dhënien ose premtimin e parave, vendeve të punës apo përfitimeve të tjera për të ndikuar votën. Po ashtu, neni 328/a ndalon përdorimin e funksionit publik ose të administratës shtetërore për veprimtari politike apo zgjedhore.

Kjo do të thotë se edhe pse “patronazhizmi” nuk ekziston si emërtim në Kodin Penal, sjelljet që i atribuohen kësaj skeme mund të analizohen përmes disa veprave penale të ndryshme, një pjesë e të cilave bien pikërisht në kompetencën e SPAK.

  • Ligji ofron më shumë mjete sesa la të kuptohej përgjigja:
  • SPAK mund të ndjekë vetë pjesën e korrupsionit në zgjedhje (neni 328), që e pranon si kompetencën e vet.
  • Prokuroria e juridiksionit të përgjithshëm mund të ndjekë shpërdorimin e detyrës, ndërhyrjen në sisteme kompjuterike dhe shkeljet e të dhënave.
  • Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale mund të gjobisë dhe të referojë.
  • Qytetarët e prekur mund të padisin për dëmshpërblim, siç bënë 162 prej tyre në 2021.

Përgjigja e Brahos është e paplotë në një mënyrë që i shërben një përfundimi të vetëm: “nuk mund të bëhet asgjë”. Prandaj pyetjet që i drejtohen SPAK-ut sot janë:

A është hapur, apo do të hapet, një hetim sipas nenit 328 për bazën e të dhënave të patronazhistëve? Nëse jo, çfarë mungon, prova apo vullnet? Dhe a është dërguar ndonjë referim te prokuroria e përgjithshme për pjesën e shpërdorimit të detyrës dhe të të dhënave personale?

Skandali i patronazhistëve shpërtheu në vitin 2021 pas publikimit të një databaze me mbi 910 mijë qytetarë, ku përfshiheshin identiteti, të dhënat personale dhe informacione të tjera të përdorura për qëllime elektorale. Pas kësaj u depozituan kallëzime penale dhe u kërkua hetim për përdorimin e mundshëm të burimeve shtetërore në favor të një force politike.

Ligji nuk njeh një krim të quajtur “patronazhizëm”, por njeh një sërë veprash penale që, nëse provohen elementët e tyre, mund të përdoren për të hetuar pikërisht atë që qytetarët njohin sot si skandali i patronazhistëve.