Skip to content
Kryesore

“SPAK You!”/ Protestuesit dorëzojnë ‘Albanian Files’: Këto janë provat e krimit të Ramës

· 2 min lexim

Protestuesit janë mbledhur paraditen e sotme përpara ambienteve të SPAK, ku kanë dorëzuar librin “Albanian Files”, të cilin e konsiderojnë një provë që, sipas tyre, duhet të hetohet nga Prokuroria e Posaçme. Tubimi u zhvillua një ditë pasi qytetarët firmosën librin gjatë protestës së mbajtur në Tiranë, ndërsa deklaruan se aksionet do të vijojnë deri në përmbushjen e kërkesës së tyre për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë një prononcimi për mediat, aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se, sipas protestuesve, libri përmban të dhëna që ngrenë dyshime për mënyrën se si janë miratuar projektet në zonat e mbrojtura dhe për ndryshimet ligjore të bëra për to. Ajo bëri të ditur se në ditët në vijim do të depozitohet edhe një kallëzim penal në SPAK.

“Kemi në dorë ‘Albanian Files’, për të gjitha projektet që janë ndërtuar dhe një pjesë që pritet të ndërtohen në zona të mbrojtura. Për ne ka të dhëna që ligji është ndryshuar me porosi. Bëhet fjalë për oligarkë shqiptarë. Albanian Files është arma e krimit që kryeministri Rama ka shkatërruar Shqipërinë. Në ditët në vijim po përgatisim edhe kallëzim penal që do t’ia dorëzojmë Prokurorisë së Posaçme. Në këtë libër del qartë se është shmangur konsultimi publik. Në këtë libër del qartë se ligji u miratua për projekte të ndryshme që ishin hartuar para se të miratohej ai. Në këtë libër del qartë se ka konflikt interesi mes kryeministrit dhe arkitektëve dhe bizneseve. Ai është kryetar i Këshillit të Territorit dhe kryeministri që vendos për këto projekte. Ne jemi këtu për të mbështetur SPAK. Nuk jemi këtu për një drejtësi popullore. Rama duhet të trajtohet dhe të hetohet si gjithë qytetarët e tjerë”, u shpreh Vatnikaj.

Protestuesit theksuan se dorëzimi i librit në SPAK synon t’i kërkojë organit të akuzës të verifikojë pretendimet e ngritura në të, ndërsa deklaruan se mobilizimi i tyre do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me protesta dhe veprime të tjera publike.