Kryeministri Edi Rama u ankua ndërsa mori pjesë në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor se Irani kishte sulmuar Shqipërinë dhe se vendi po përballej me një luftë hibride. Ndërsa nuk e tha drejtpërdrejt, kryeministri aludoi se protestat që vijojnë prej 6 ditësh para zyrës së tij ishin të ndikuara edhe prej kësaj lufte prej një armiku të njohur.
Por ndërsa faqe apo profile në rrjetet sociale të lidhura me Iranin, apo që shpërndajnë propagandë të Iranit në shqip dhe gjuhë të tjera, që BIRN i ka identifikuar edhe më herët, po përdorin protestën për të dezinformuar dhe kanë fabrikuar lajme të rreme kryesisht me përmbajtje antisemite, masiviteti i kësaj të fundit si zor të jetë frymëzuar nga Garda Revolucionare dhe as nga profilet në Telegram të Homeland Justice.
Tre-katër banderola antisemite apo të rinj që besojnë në teori konspiracioni, nuk e bëjnë protestën produkt të luftës hibride. Por nga ana tjetër vënë në dukje së pari krizën e madhe të besimit mes qytetarëve dhe shumicës qeverisëse dhe së dyti dështimin e kësaj të fundit në planet për të adaptuar një strategji për mbrojtje nga ndërhyrjet e huaja që u votua në fund të legjislaturës që shkoi.
E para arsye dhe më e rëndësishmja kuptohet lehtë në protestë. Nëse një i ri 30-vjeç, zgjedh të besojë një faqe anonime Instagrami se kryeministri është duke shitur vendin, kryeministri dhe shumica duhet të pyesin veten çfarë kanë bërë që të shihen si shitës tokash. Dhe përgjigjet janë në protestë aty ku pjesëmarrësit numërojnë skandale korruptive të qeverisjes, njëri më shokues se tjetri. Inceneratorët, AKSHI, rrugë të shtrenjta pa standarde, mungesë ilaçesh në spitale, arsim me probleme dhe mungesa bazike si uji dhe një mori historish që ca i jetojnë në kurriz, ca i shohin të ndodhin.
Kryeministri ka ditë tani që është angazhuar të sqarojë “projektin”, që siç thotë në një anë nuk ekziston, por që nga ana tjetër do sjellë miliarda që nuk dihet nga dalin. Por për mbi dy vjet me radhë, që prej hedhjes së idesë e deri sa Pishë-Poro Narta u rrethua me tela me gjemba, shqiptarët i morën informacionet për të përmes medias së huaj.







