Kur bëhet fjalë për dosje me qindra miliona euro dhe tendera të dyshuar korruptivë, drejtësia shqiptare duket se ka një zakon të çuditshëm: pret derisa veprat kryesore të afrohen drejt parashkrimit dhe më pas e fokuson debatin publik te një vilë.
Nëse kjo histori ju duket e njohur, nuk është rastësi.
Disa vite më parë, SPAK e orientoi debatin publik te vila e Monika Kryemadhit në Laguna Blu, duke sjellë në qendër një zinxhir pronësish që kalonte nga Kryemadhi te Samir Mane, më pas te Aleksandër Frangaj dhe në fund te Blendi Klosi.
Sot, në mënyrë thuajse identike, opinioni publik po ushqehet me historinë e një vile në Dhërmi, që sipas SPAK përfundoi në përdorimin e Belinda Ballukut pas një tenderi të Albcontrol në vitin 2014.
Ngjashmëria nuk qëndron vetëm te vilat.
Ngjashmëria qëndron te fakti se në të dy rastet SPAK duket se zgjedh të merret me episodin më periferik të historisë, ndërsa në sfond mbeten akuza shumë më të rënda, me pasoja shumë më të mëdha financiare për qytetarët shqiptarë.
Vetë Igli Tare, i marrë në pyetje nga SPAK, deklaroi se procedura për të cilën po flitet i përket vitit 2014 dhe se bëhet fjalë për një çështje të parashkruar.
Pikërisht këtu lind pyetja më e madhe.
Pse SPAK zgjedh të ringjallë një histori 12-vjeçare që ndodhet në kufijtë e parashkrimit, ndërkohë që ndaj Belinda Ballukut ekziston një dosje e tërë me akuza shumë më të rënda dhe me dëme potencialisht qindra herë më të mëdha?
Po flasim për hetimet mbi Tunelin e Llogarasë.
Po flasim për shtatë lotet e Unazës së Madhe.
Po flasim për projektin Kashar-Thumanë.
Po flasim për kompanitë e mëdha të ndërtimit që janë kontrolluar nga SPAK.
Po flasim për sekuestrime telefonash, dokumentesh, kontrolle në banesa familjarësh, drejtorësh, zyrtarësh dhe biznesmenësh.
Po flasim për një seri procedurash infrastrukturore me vlera që maten në qindra miliona euro.
Po flasim për akuza që potencialisht mund të prodhojnë përgjegjësi shumë më të mëdha sesa një vilë me vlerë 141 mijë euro.
Megjithatë, debati publik sot është zhvendosur pothuajse tërësisht te vila.
Ashtu siç ndodhi me vilën e Monika Kryemadhit.
Ashtu siç ka ndodhur shpesh në dosje të tjera të bujshme.
Në vend që qytetarët të flasin për tenderat, kontratat, fondet publike, rrugët, energjinë apo projektet miliardëshe, fokusi zhvendoset te prona individuale.
Në vend që të diskutohet mekanizmi i dyshuar i korrupsionit, diskutohet vila.
Në vend që të diskutohet dëmi ekonomik, diskutohet pishina.
Në vend që të diskutohet sistemi, diskutohet fasada.
Dhe kjo është arsyeja pse rasti Balluku ngre shumë pikëpyetje.
Sepse nëse SPAK ka prova për korrupsion, qytetarët presin të shohin hetimin e plotë të gjithë skemës dhe jo vetëm një episod periferik të saj.
Nëse nuk ka prova, atëherë po përdoret një vilë për të krijuar perceptimin e një lufte të madhe kundër korrupsionit.
A po shohim drejtësi të plotë, apo po shohim edhe një herë një histori ku dosja reduktohet te vila dhe jo te miliardat?







