Gjykata e Elbasanit ka lënë në masën e sigurisë “arrest me burg” regjisorin Petri Bozo, pas aksidentit tragjik ku humbi jetën një fëmijë 7-vjeç në aksin nacional “Elbasan-Librazhd”.
Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e së hënës, rreth orës 08:00, në fshatin Mengël, pranë shkollës 9-vjeçare “Sulejman Rranci”. Automjeti i drejtuar nga Bozo përplasi të miturin, i cili ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Sipas dëshmive nga vendngjarja, 7-vjeçari kishte shoqëruar motrën në shkollë bashkë me nënën e tij, ndërsa vetë zhvillonte mësimin pasdite. Në momentin e aksidentit, nëna dhe djali po kalonin pranë rrugës për t’u drejtuar drejt një dyqani aty pranë, kur i mituri dyshohet se i ka shpëtuar nga dora së ëmës dhe i ka prerë rrugën automjetit.
Pas ngjarjes tragjike, Petri Bozo u shoqërua nga policia dhe më pas u arrestua. Regjisori ka deklaruar se nuk po lëvizte me shpejtësi në momentin e aksidentit, por hetimet paraprake dhe dëshmitë e mbledhura nga grupi hetimor kanë ngritur dyshime se automjeti mund të ketë qenë duke lëvizur më shpejt nga sa është pretenduar.
Seanca në Gjykatën e Elbasanit u zhvillua mesditën e sotme, ku trupa gjykuese vendosi caktimin e masës “arrest me burg”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit vijojnë.







