Irfan Azizi, i njohur si “Fania i Beratit” dhe i kërkuar nga drejtësia shqiptare, është arrestuar në Angli pasi ka thyer kushtet e lirimit me kusht gjatë procesit të ekstradimit drejt Shqipërisë.
Sipas një dokumenti të Gjykatës së Ekstradimeve Westminster Magistrate Court, të siguruar nga gazetari i Top Channel Muhamed Veliu, Azizi u arrestua më 26 prill 2026 në zonën Somerset, pasi nuk ishte paraqitur për të firmosur në stacionin e policisë Taunton çdo të martë dhe të enjte, siç e detyronte masa e sigurisë.
Pak javë më parë, Daily Mail Online raportoi se Azizi kishte tentuar të bllokonte ekstradimin drejt Shqipërisë, duke pretenduar se jeta e tij është në rrezik nga një atentat i mundshëm i organizuar nga Talo Çela.
Gjatë seancës në gjykatë, Azizi kundërshtoi kthimin në Shqipëri, duke deklaruar se nëse ekstradohet do të vritet. Ai tha se në vitin 2020 i kishte shpëtuar një atentati ku, sipas tij, u qëllua rreth 30 herë me armë automatike.
“Një plumb më shkatërroi dorën në 13 vende”, deklaroi ai para gjykatës britanike.
Azizi pretendoi se grupi kriminal që organizoi sulmin ka lidhje të forta dhe është i aftë të kryejë vrasje edhe ndaj figurave të rëndësishme, ndërsa shtoi se “ata nuk paralajmërojnë, por veprojnë”.
Autoritetet shqiptare e kërkojnë për të vuajtur një dënim me një vit burg, pasi gjatë kohës që ndodhej në paraburgim iu zbulua përdorimi i një telefoni celular.
Në dëshminë e tij, Azizi bëri edhe deklarata të forta, duke pranuar se kishte paguar për të mbyllur çështje gjyqësore në Shqipëri. Ai këmbënguli se nuk dëshiron të kthehet për shkak të rrezikut ndaj jetës së tij dhe familjarëve.
Nga ana tjetër, prokuroria britanike hodhi dyshime mbi pretendimet e tij, duke theksuar se gjatë pesë viteve që Azizi ka jetuar në Angli nuk është regjistruar asnjë kërcënim konkret ndaj tij apo familjes së tij.








