56 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin infektiv me simptoma helmimi ushqimor, pas dyshimeve se kanë konsumuar ushqim të kontaminuar në ambientet e Akademisë.
Pas rastit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka nisur kontrollet në Akademinë e Policisë, si dhe në ambientet ku prodhohet dhe përgatitet ushqimi që u shërbehet studentëve. Inspektorët kanë marrë mostra për analizë nga produktet e konsumit, përfshirë edhe ushqimet e menusë së mëngjesit.
Sipas të dhënave, për analizim është dërguar edhe uji, ndërsa dyshimet paraprake lidhen me mundësinë që helmimi të ketë ndodhur gjatë konsumimit të drekës.
Mostrat janë dërguar në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë, ISUV, ku priten rezultatet zyrtare për të përcaktuar shkakun e helmimit.
Mësohet gjithashtu se i njëjti subjekt që furnizon Akademinë e Policisë me katering, furnizon me ushqim edhe spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Kontrollet e AKU janë zhvilluar nga ora 19:30 e mbrëmjes deri në 05:30 të mëngjesit të së enjtes, si në vendin e prodhimit të ushqimit, ashtu edhe në ambientet e Akademisë së Policisë.







