Parlamenti Europian ka evidentuar problematika të rënda në funksionimin e demokracisë në Shqipëri, duke ngritur akuza të forta për integritetin e proceseve zgjedhore dhe standardet demokratike në vend.
Në draft-raportin për vitin 2025, të hartuar nga Andreas Schieder, theksohet se megjithëse kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, në praktikë situata mbetet problematike. Dokumenti nënvizon përdorimin e burimeve administrative gjatë fushatave, duke zbehur ndarjen mes shtetit dhe partive politike, si dhe ngre shqetësime për mënyrën e financimit të partive.
Raporti ndalet veçanërisht te akuzat për blerje votash dhe presion ndaj votuesve, duke theksuar se këto fenomene cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve. Në këtë kuadër, Parlamenti Europian kërkon nga mazhoranca dhe opozita të ndërmarrin një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse zgjedhore, si dhe të zbatojnë pa vonesë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit të Venedikut përpara proceseve të ardhshme elektorale.
Dokumenti shpreh shqetësim edhe për klimën politike në vend, duke theksuar nivelin e lartë të polarizimit dhe retorikën përplasëse mes forcave politike, të cilat dëmtojnë funksionimin e institucioneve dhe besimin e qytetarëve. Raporti nënvizon se një demokraci funksionale kërkon një rol real të opozitës në procedurat parlamentare, ndërsa rikujton se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një sistem demokratik.
Gjithashtu, Parlamenti Europian kërkon forcimin e kontrollit të Kuvendit ndaj qeverisë, rritjen e transparencës në proceset legjislative dhe përfshirje më të gjerë të shoqërisë civile dhe institucioneve të pavarura në vendimmarrje.
Ndërkohë, raporti vlerëson angazhimin e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian dhe ambicien për mbylljen e negociatave deri në fund të vitit 2027, por thekson se përparimi duhet të bazohet në zbatim real të reformave dhe pa cenuar cilësinë e tyre.








