Një çështje e rëndë që prek drejtpërdrejt kontrollin e territorit në kryeqytet ka çuar në pezullimin nga detyra të kreut të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit, Rigers Sheqeri, ndërsa hetimet kanë zbuluar dyshime për një skemë të organizuar që mund të ketë lejuar ndërtime të paligjshme.
Vendimi është marrë nga Gjykata e Tiranës disa ditë më parë, pas kërkesës së prokurorit Julian Xhengo. Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, ekzistojnë dyshime dhe prova që Sheqeri, në shkelje të detyrës, ka lejuar ndërtime pa leje brenda një kompleksi banimi në pronësi të biznesmenit Pandeli Carapuli.
Në të njëjtën dosje, gjykata ka vendosur edhe masën e sigurisë “bllokim pasaporte” për Carapulin, me qëllim që të mos largohet nga vendi gjatë zhvillimit të hetimeve.
Hetimet nuk ndalen vetëm te drejtuesi i IMT-së. Me të njëjtin vendim janë shpallur në kërkim edhe dy inspektorë të këtij institucioni, për të cilët dyshohet se kanë qenë pjesë e një mekanizmi të brendshëm që, në vend të zbatimit të ligjit, mund të ketë toleruar ose favorizuar ndërtime pa leje.
Dyshimet e ngritura nga prokuroria flasin për një rrjet të strukturuar brenda IMT-së, ku kontrolli i territorit dhe zbatimi i ligjit mund të jenë anashkaluar në favor të interesave të caktuara private.
Ndaj Rigers Sheqerit rëndon akuza e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të gjithë mekanizmin e funksionimit të kësaj skeme dhe përgjegjësitë konkrete të çdo personi të përfshirë.








