Kombëtarja shqiptare zbret sot në mbrëmje në një nga ndeshjet më të rëndësishme të viteve të fundit, teksa përballet me Poloninë në gjysmëfinalen play-off të kualifikueseve europiane për Botërorin 2026. Sfida luhet këtë të enjte, më 26 mars, në orën 20:45 në stadiumin “PGE Narodowy” të Varshavës, ndërsa fituesi do të sigurojë kalimin në finalen e play-off-it.
Trajneri Sylvinho ka dorëzuar listën zyrtare me 23 futbollistët e gatshëm për këtë përballje dhe jashtë saj kanë mbetur Jasir Asani, Nazmi Gripshi dhe Klisman Cake. Lista zyrtare e publikuar nga UEFA për ndeshjen me Poloninë konfirmon mungesën e tre lojtarëve, mes tyre edhe Asanit, në prag të këtij dueli vendimtar.
Sipas listës zyrtare, Shqipëria do të ketë në dispozicion këta futbollistë:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani.
Mbrojtës: Ivan Balliu, Mario Mitaj, Elseid Hysaj, Arlind Ajeti, Berat Gjimshiti, Naser Aliji, Bujar Pllana, Ardian Ismajli, Stavro Pilo.
Mesfushorë: Adrion Pajaziti, Kristjan Asllani, Anis Mehmeti, Nedim Bajrami, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Ernest Muçi, Ylber Ramadani.
Sulmues: Myrto Uzuni, Arbër Hoxha, Armando Broja.
Përballja me Poloninë vjen me peshë të madhe historike për kuqezinjtë. Dy kombëtaret janë ndeshur 15 herë më parë, me 10 fitore për polakët, 2 fitore për Shqipërinë dhe 3 barazime. Megjithatë, takimi i fundit mes tyre i buzëqeshi Shqipërisë, që fitoi 2 me 0 në “Air Albania” në shtator 2023, sukses që mbetet një nga rezultatet më domethënëse në historinë e përballjeve direkte mes dy skuadrave.
Edhe në kampin polak është pranuar se kjo sfidë nuk do të vendoset nga historia, por nga ajo që do të japin skuadrat në fushë. Reuters raportoi një ditë më parë se trajneri i Polonisë, Jan Urban, ka minimizuar peshën e precedentëve, duke vlerësuar Shqipërinë si një skuadër të qëndrueshme dhe të aftë për të befasuar.
Nëse Shqipëria arrin të kalojë Poloninë, më 31 mars do të luajë sërish në transfertë finalen e play-off-it ndaj fituesit të çiftit Ukrainë – Suedi, me objektivin madhor për të siguruar një vend në Botërorin 2026, që do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.








