Grupi i hakerëve “Homeland Justice” ka deklaruar se ka ndërmarrë një tjetër sulm kibernetik në Shqipëri, këtë herë duke shënjestruar sistemet e Postës Shqiptare.
Pretendimi vjen vetëm pak ditë pas hakerimit të faqes zyrtare të Kuvendit të Shqipërisë, një incident që ngriti shqetësime mbi sigurinë digjitale të institucioneve në vend. Në një mesazh të publikuar në platformën Telegram, ky grup pohon se ka arritur të sigurojë akses në të dhënat e Postës Shqiptare.
Sipas deklaratës së tyre, “Homeland Justice” pretendon se disponon të gjitha të dhënat që lidhen me këtë institucion. Në të njëjtin mesazh, ata shprehen: “Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët i kanë dhënë autoritet të plotë Pedofilëve të Regjimit të Epstein dhe nuk kanë aspak liri veprimi dhe pavarësi, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të paguar për terroristët e Kampit Ashraf 3 për disa muaj me radhë”.
Deri në këto momente, nuk ka një reagim zyrtar nga Posta Shqiptare lidhur me këto pretendime, ndërsa mbetet e paqartë nëse të dhënat e pretenduara janë komprometuar realisht.







