Ndërsa kryeministri Edi Rama flet për “vepra historike” të realizuara nga qeveria në infrastrukturë, realiteti në terren tregon një panoramë alarmante. Dhjetëra akse rrugore në të gjithë vendin rezultojnë të dëmtuara, të shembura ose me rrezik serioz për qarkullimin, duke ngritur pikëpyetje të forta mbi cilësinë e investimeve publike që kanë kushtuar mbi 1 miliard euro vetëm në dy vitet e fundit.
Situata është bërë edhe më shqetësuese pas dëmtimeve të fundit në disa nga arteriet kryesore të vendit, ku mure mbajtëse janë rrëzuar, segmente rrugore janë shembur dhe në disa raste qarkullimi është bërë i rrezikshëm ose i pamundur.
Lista e akseve problematike është e gjatë dhe përfshin rrugë nga veriu në jug të Shqipërisë. Sipas të dhënave të publikuara, janë të paktën 20 segmente rrugore që janë shembur ose paraqesin rrezik për qarkullimin.
Rrugët e dëmtuara nga jugu në veri:
-
Kuç Qeparo
-
Dhërmi
-
Tuneli i Llogarasë
-
Buzë tunelit të Skërficës, Kardhiq
-
Vlorë
-
Vlahinë Poçem
-
Ura e Selenicës
-
Korçë Ersekë
-
Dardhë Boboshticë
-
Qukës Qafë Plloçë
-
Librazhd Përrenjas
-
Auto Moto Parku Elbasan
-
Vorë
-
Zall Herr
-
Skarpata në rrugën e Arbrit
-
Derjan Macukull (Mat)
-
Unaza e Burrelit
-
Tuneli i Murrizit
-
Lurë Peshkopi
-
Shëngjin Velipojë
Në disa prej këtyre akseve janë konstatuar rrëshqitje dherash, shembje të mureve mbajtëse dhe dëmtime të rënda të trupit të rrugës, duke e bërë qarkullimin të rrezikshëm për drejtuesit e automjeteve.
Ndërkohë, gjatë një deklarate publike, Rama renditi disa nga projektet infrastrukturore që sipas tij përbëjnë sukses të qeverisë.
“Këto vepra janë kryer në këto 6 vite. Siç u krye Orikum Dukati, apo tuneli i Llagarasë, siç flitet në oturakët e Qimbellinjëve. Korçë Ersekë, tjetër vlerë e madhe e shtuar. Qukës Qafë Plloçë një gropë që na ngeli nga derdimeni me dy gishta. E bëmë fytyrën shollë me kreditorët, që të na mbështesin. Ka përfunduar dhe ajo. Maliq Llozhan për të vazhduar me Rrugën e Arbrit dhe Thumanë Kashar”, u shpreh Rama.
Kryeministri shtoi se ndërtimi i këtyre akseve është shoqëruar me shumë pengesa administrative dhe konflikte për shpronësimet.
“Ministrja e Infrastrukturës u bë sebep si duke qëruar oriz, jo shpronësimet, jo përroi, jo lavazhi, jo dreqi me leje, jo ky me legalizim, një tjetër me proces legalizim, jo dreqërit dhe të bijtë që nxisnin ato protesta me bllokime”, tha ai.
Megjithatë, ndërsa deklaratat flasin për investime dhe projekte të përfunduara, gjendja reale e një pjese të madhe të rrugëve në vend tregon dëmtime serioze vetëm pak kohë pas përfundimit të tyre.
Pritja shumëvjeçare për inaugurimin e këtyre akseve është zbehur brenda pak ditësh nga shembjet dhe problemet infrastrukturore që janë shfaqur në disa prej tyre, duke ngritur shqetësime për standardet e ndërtimit dhe kontrollin e punimeve publike.








