Bllokimi i aksit Prrenjas-Librazhd për disa ditë ka rikthyer në vëmendje problemet serioze të infrastrukturës rrugore në vend. Inxhinieri Bleon Hasani paralajmëron se situata të tilla nuk janë thjesht pasojë e kushteve atmosferike, por lidhen edhe me mungesën e mirëmbajtjes dhe me abuzimet në proceset e ndërtimit dhe tenderimit.
I ftuar në “News24 Fundjavë”, Hasani u ndal te dëmtimet e shumta që janë shfaqur në disa segmente rrugore, si dhe te mungesa e zgjidhjeve alternative, duke marrë si shembull edhe bllokimin e aksit Prrenjas-Librazhd që izoloi për ditë të tëra juglindjen e vendit.
Sipas tij, një sërë faktorësh të lidhur me ndërhyrjet njerëzore e përkeqësojnë situatën në terren. Ai përmendi ndërhyrjet e pakontrolluara pranë rrugëve, mungesën e mirëmbajtjes së pyjeve, problemet me drenazhimin dhe gërryerjen e lumenjve, të cilat krijojnë një kombinim të rrezikshëm për stabilitetin e infrastrukturës.
Hasani theksoi se ndërtimi i rrugëve duhet të bazohet në standarde të qarta teknike dhe në studime të detajuara të terrenit, duke paralajmëruar se projektet që ndërtohen për arsye elektorale rrezikojnë të krijojnë probleme serioze në të ardhmen.
“Duhet të ndalojmë të ndërtojmë rrugë për efekte elektorale por të ndiqen protokollet teknike dhe të respektohen studimet mbi terrenin. Projektim konservativ i bazuar vetëm në fakte. Mbikqyrja duhet të jetë konservative. Tenderimi, ndërtimi dhe dokumentacioni para dorëzimit të veprës duhet të jetë transparente.
E kam ndjekur me vëmendje dhe më vjen keq kur thuhet janë shkaqe natyrore.
Çdo inxhinier edhe me arsim bazik e di që nuk është uji problemi, por abuzimi me fondet e alokuara për mirëmbajtjen e rrugës ai që krijon problematikën”, u shpreh Hasani.
Sipas tij, vetëm një qasje e bazuar në transparencë, mirëmbajtje të rregullt dhe respektim të standardeve teknike mund të shmangë situata të ngjashme në të ardhmen dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve që përdorin rrugët e vendit.







